Çmimet e importit – Sërish në rënie për tremujorin II

Çmimet e produkteve industriale të importit janë ende në rënie. Të dhënat Instat treguan këtë javë se indeksi i çmimeve të importit ra me 1.2% në tremujorin e dytë të këtij viti, duke konfirmuar presione shumë të dobëta nga jashtë për inflacionin në vend. Për të tretin vit radhazi, çmimet e importit po qëndrojnë në territor negativ, çka tregon për presione të dobëta inflacioniste nga jashtë.

Rënia e çmimeve të importit ngelet kryesisht rrjedhojë e çmimeve të ulëta të lëndëve të para dhe kërkesës ende të brishtë në tregjet botërore. Megjithatë, në tremujorët e fundit kjo tendencë është theksuar edhe nga mbiçmimi i lekut në kursin e këmbimit valutor. Forcimi i lekut ka qenë veçanërisht i theksuar në tremujorin e dytë dhe besohet se efekti në rënien e çmimeve të importit të ketë qenë i konsiderueshëm.

Në ekonominë shqiptare, kjo është përcjellë në çmime ndjeshëm më të lira importi në produktet e degëve kryesore të ekonomisë, nga industrisë përpunuese, te ajo nxjerrëse dhe te sektori i energjisë. Rënia me 0.8% e çmimeve të industrisë përpunuese ka qenë vendimtare në tendencën e indeksit të çmimeve të importit. Rënia e çmimeve ishte veçanërisht e theksuar për energjinë, me 7.3% më pak krahasuar me një vit më parë.