Ankorimi i mjeteve turistike, Gjiknuri: Masat e sezonit turistik rritën ndjeshëm numrin e tyre në 8 muaj

8-mujori i vitit 2018 ka shënuar një rritje të numrit të mjeteve turistike të ankoruara në vendin tonë, krahasuar me një vit më parë. Të dhënat janë bërë publike nga ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, sipas të cilit kjo rritje ka ardhur si rrjedhojë e masave të marra gjatë sezonit të fundit turistik.

“Masat e marra gjatë sezonit të fundit turistik për lehtësimin e lëvizjes dhe ankorimit të mjeteve turistike kanë bërë të mundur që gjatë 8-Mujorit të vitit 2018 numri i jahteve, krocerave dhe anijeve turistike të rritet ndjeshëm krahasuar me një vit më parë”, shkruan Gjiknuri.

Treguesit më të lartë evidentohen në Portin e Sarandës, me numrin më të madh të ankorimit të anijeve të linjës (mbi 1400), jahteve (rreth 1000), si dhe trageteve turistike e kroçierave gjatë kësaj periudhe 8-mujore.

Po ashtu, nuk ka mbetur pas as Porti i Durrësit dhe ai i Shëngjinit, ku në këtë të fundit janë ankoruar më shumë se 90 mjete të vogla turistike si dhe jahte.

Ndërkohë, Durrësi është përzgjedhur pika ku qeveria po planifikon të ndërtojë terminalin e parë të kroçierave në Shqipëri.

/SCAN