Zgjedhjet lokale në Suedi, në garë shqiptarja Ervisa Dani: Fokusi tek emigrantët

Më 9 shtator në Suedi pritet të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme lokale. Në këto zgjedhje, merr pjesë një shqiptare. Ajo është Ervisa Dani, 23 vjeçe, me origjinë nga Puka, e lindur në Fushë-Arrëz. E larguar që në moshën 7-vjeçare, Ervisa sot kandidon në këto zgjedhje nën sloganin e partisë Liberalerna.

Në një lidhje skype për Report Tv, Dani ka dhënë detaje mbi kandidimin e saj në këto zgjedhje, dhe programin e partisë për të cilën ajo garon.

Intervista e plotë:

Për cilën parti politike garoni, dhe cili është programi elektoral me të cilin ju po bëni fushatë?

Partia me të cilën garoj është partia Liberalerna, është partia Populli, për Lirinë e Njeriut. 3 janë pikat e rëndësishme për të cilat po bëj fushatë. E para është shkolla, duam të investojmë tek shkollat suedeze, të rrisnim rrogat e mësuesve, që çdo mësuesë të ketë asistente që të ndihmojë mësuesen për gjërat administrative, dhe që çdo nxënës që ka vështirësi në shkollë të ketë ndihmë nga një asistente. Notat e para merren në klasë të tetë, partia jonë do ta ulë këtë gjë, që notat e para të merren në klasë të 4-të. Integrimi, në Suedi ka shumë emigrantë, ne duam që emigrantët të vijnë në Suedi, të mësojnë gjuhën, si dhe të ruajnë gjuhën e nënës, por të punësohen sa më shpejt, që të mos jenë të varur nga asistenca e shtetit.

Ky është motivi i angazhimit tuaj në këto zgjedhje?

Po.

Çfarë bëhet më mirë për emigrantët në këtë alternativë të ofruar nga Partia?

Gjëja më e rëndësishme është gjuha dhe punësimi. Integrimi më i mirë i emigrantëve që vijnë në Suedi është ky.

A ka përfaqësuesë në këto institucione partia juaj?

Partia jonë është shumë e vogël. Në parlament ka 19 vende nga 349.

Sa e vështirë është për një shqiptare që të jetë pjesë e politikës në një vend si Suedia?

Nuk është e vështirë të angazhohesh. Mjafton të kesh vullnet, dëshirë, të jesh optimiste dhe të mbash premtimet e dhëna.