Tarifa e Rrugës së Kombit rrit biletat – Mema: Tiranë-Kukës do e shtojmë me 100 lekë

Aplikimi i tarifës për Rrugën e Kombit, prej datës 17 shtator pritet të sjellë rritje të çmimit të biletës për linjat e autobusëve Tiranë-Kukës me 100 lekë”. Paralajmërimi vjen nga kreu i Shoqatës së Transportit Interurban, Kujtim Mema, i cili thotë për TV SCAN se paketa lehtësuese, që parashikon pagesën e 44 kalimeve me 100 lekë është e pamjaftueshme për të mbuluar kostot shtesë, që shkojnë në rreth 600 euro në muaj.

Referuar metodologjisë së përcaktimit të çmimit të biletës, Mema thotë se ajo është miratuar para shumë vitesh dhe nuk ka mbajtur parasysh aplikimin e pagesës për rrugë apo çmimin e naftës, që në atë kohë kushtonte 120 lekë për litër.

Kreu i Shoqtës thotë se i takon qeverisë të ndërmarrë masat e nevojshme, në mënyrë që të mos preket xhepi i qytetarëve.

Aktualisht bileta e transportit për linjën Tiranë-Kukës kushton 400 lekë, ndërkohë që nëse kërkesat e Shoqatës nuk merren parasysh,  ajo pritet të shkojë në 500 lekë për një udhëtim.