Shoqata me emrin e të atit rekrutonte prostituta, reagon Elton Deda

15 vjet pas vdekjes së të atit, kompozitorit dhe dirigjentit të njohur shqiptar Ferdinand Deda, të birit të tij i është dashur të përballet me një skandal, ku një shoqatë fatntazmë abuzonte nën emrin e të madhit Deda.

“Shoqata Artistike Ferdinand Deda” mashtronte me vendet e punës, të cilat reklamonte, pasi në të vërtetë ajo rekrutonte punonjëse seksi nëpërmjet njoftimeve “online” të punësimit.

Denoncimi u bë nga emisioni “Fiks Fare”. Kantautori i njohur shqiptar, Elton Deda, pas njohjes me faktet ka reaguar përmes një postimi në fb, duke deklaruar se do ta ndjekë ligjërisht këtë çështje për të hequr përjetësisht fytyrën e hijshme të të atit nga ajo vulë dhe nga ai aktivitet i ndyrë.

Ferdinand Deda u nda nga jeta me 22 gusht 2003 ne Stamboll Turqi.

Postimi i plotë i Elton Dedës

“I dashur Baba, Nder i Kombit dhe muzikanti gjeni. Më në fund të erdhi edhe ty radha që në 15 vjetorin e vdekjes, të dalësh në TV, jo me baketën tënde në dorë, por fytyra jote e pashme e stampuar në një vulë shoqate, e cila merret me prostitucion dhe eskorta. Se si është legalizuar kjo shoqatë në gjykatë nuk e di, por me siguri kanë harruar të kërkojnë pëlqimin tënd, meqenëse ti ke lëvizur për pak kohë jashtë shtetit. Gjithashtu edhe për ne familjarët e tu, harruan të na kërkojnë një autorizim të përkohshëm, derisa të vije ti. Meqë të erdhi shorti në majë të hundës dhe vendose të mos ktheheshe, këta vendosën të të kujtojnë duke të respektuar dhe duke i vënë emrin tënd të nderuar një shoqate. Mbase po të kishe vendosur të rrije edhe mund të kishe përfituar diçka nën dorë, pa zhurmë dhe mbase kishe mbyllur ndonjë vrimë në portofol. Të premtoj që do bëj ç’është e mundur ( pasi e di që shumë pak prej baballarëve të kombit do t’u interesojë ta ndjekin këtë çështje), ta heq përjetësisht fytyrën tënde të hijshme nga ajo vulë dhe nga ai aktivitet i ndyrë. Nuk mund të rri pa falenderuar “Fiks Fare” që e solli në vëmendje këtë fenomen. Do flasim prapë Babi, qëndro i fortë! Yt bir.”