SHBA uron Maqedoninë për 27 vjetorin e pavarësisë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo uroi të premten Maqedoninë për 27 vjetorin e pavarësisë dhe e siguroi për mbështetjen amerikane në hapat e saj për t’u bërë pjesë e “familjes euroatlantike”.

Zoti Pompeo e bëri urimin në emër të Shteteve të Bashkuara në prag të ditës së pavarësisë që Maqedonia e shënon më 8 shtator.

“Ju urojmë për Marrëveshjen Historike të Prespës, e cila kur të zbatohet do të sjellë më shumë siguri dhe mirëqenie për popullin e Maqedonisë dhe gjithë rajonin”,thuhet në deklaratën e tij.

Sekretari amerikan i shtetit vlerësoi angazhimin e vendit ndaj parimeve demokratike, shtetit ligjor, përgjegjësisë së qeverisë dhe përpjekjet kundër korrupsionit.

Zoti Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë në thellimin e miqësisë dhe partneritetit me Maqedoninë në të ardhmen./VOA