Drafti i opozitës – Nga Rama te zyrtarët e institucioneve, kush do kalojë në “sitën” e vettingut

Zbardhet projektligji për vettingun e politikanëve, platformë e iniciuar nga Partia Demokratike dhe Levizja Socialiste per Integrim. Teksa lançoi dje nismën, kryetari i PD-së, Lulzim Basha nënvizoi faktin se vettingu për politikanët do të jetë i njëjtë me atë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku do të verifikohet pasuria për të gjitha figurat zyrtare.

Projektligji në fjalë përveç disa ndryshimeve, është thuajse i njëjtë me atë ekzistuesin për ‘Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’. Kështu, ndryshimet që reflektohen janë fakti që listës i shtohen zyrtarë, që nga deputetë, kryetarë bashkish, kryeministri, apo dhe anëtarë institucionesh.

“Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, kryetari i bashkisë dhe çdo drejtues ose anëtar i institucioneve kushtetuese dhe ligjore që emërohen në detyrë me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, i nënshtrohen procesit të kontrollit të pastërtisë së figurës”, thuhet në ligjin në fjalë.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama e mbështeti platformën e PD, ndërsa i shtrihu dorën e bashkëpunimit Lulzim Bashës për t’u ulur në një tryezë për këtë nismë.

Relacioni

Integriteti i zyrtarëve të lartë publikë është parakusht për qeverisje demokratike dhe shtetin e të drejtës. Fakte dhe të dhëna të bëra publike demonstrojnë se bashkëpunimi mes krimit të organizuar dhe zyrtarëve të lartë publikë, është në nivele alarmante dhe se ka një çimentim të kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj politikanëve të lidhur me krimin. Për të garantuar integritetin e zyrtarëve të lartë publikë, Shqipëria ka ndërmarrë disa masa, të cilat në tërësinë e tyre, nuk kanë garantuar ende tërësisht qeverisjen demokratike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Konkretisht:

  1. a) Reforma e Dekriminalizimit ka si qëllim pengimin e zgjedhjes ose emërimit, dhe largimin nga funksioni publik të personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen të krimeve, me synimin që të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, apo të administratës publike.
  2. b) Reforma në Drejtësi, që ka si qëllim që nëpërmjet një procesi të plotë rivlerësimi që përfshin lidhjet me krimin e organizuar të garantojë integritetin e sistemit të drejtësisë, si edhe të rikthejë besimin e publikut tek institucionet e këtij sistemi.

Procesi i vettingut që përfshin vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar zbatohet për gjyqtarët dhe prokurorët. Ndërkohë me ligj të veçantë, i njëjti vlerësim është shtrirë tashmë edhe për punonjësit e Policisë së Shtetit apo Gardës së Republikës. Pra, është fakt që procesi i vettingut nuk aplikohet për zyrtarët e tjerë të lartë publikë, ku përfshihen deputetët, Kryeministri, ministrat, dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese apo ligjore. Zbatimi i të njëjtave norma dhe parime të vettingut për vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar edhe për politikanët dhe zyrtarët e të tjerë të lartë publikë, do të kontribojë në dekriminalizimin e qeverisjes në vend. Gjithashtu, kjo do të parandalonte aleancat e fshehta e të drejtëpërdrejta, para dhe pas zgjedhjeve, midis politikanëve dhe grupeve kriminale. Dekriminalizimi i plotë dhe zbatimi i të njëtave norma të vettingut për vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar, duhet të zbatohet edhe ndaj zyrtarëve të lartë publikë, ku përfshihen deputetët, Kryeministri, ministrat, kryebashkiakët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese dhe ligjore. Kjo garanton parimin e barazisë përpara ligjit, dhe përbën një premisë për një qeverisje të pandikuar nga krimi i organizuar, duke pastruar nga rradhët e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, individë të lidhur me krimin e organizuar. Është e vërtetë që Reforma e Dekriminalizimit, e propozuar nga Partia Demokratike, solli rezultate domethënëse në funksion të pastrimit të qeverisjes nga individë me rekorde kriminale.  Deputetë e kryebashkiakë u shkarkuan apo u larguan për shkak se ishin të dënuar për vepra penale të rënda, si trafikim i qenieve njerëzore dhe favorizimit të prostitucionit; vrasje; përdhunim në grup apo trafik ndërkombëtar droge. Por efektet e këtyre rezultateve të dekriminalizimit duke larguar nga funksionet shtetërore individë të dënuar për kryerjen e krimeve u zhbënë, për shkak të transformimit në mënyra të reja të bashkëpunimit mes krimit të organizuar dhe qeverisjes. Këto mënyra të reja të bashkëpunimit janë zëvendësimi i vetë eksponentëve të botës së krimit në institucionet më të larta të vendit me individë në shërbim të krimit të organizuar, të caktuar prej tyre në poste dhe detyra shtetërore, si dhe politikanë të lidhur drejtpërdrejt me eksponentë të krimit të organizuar. Për pasojë, dekriminalizimi rezulton i pamjaftueshëm për të shkëputur lidhjet e qeverisjes me krimin. Kapja e qeverisjes nga krimi nëpërmjet përfshirjes së individëve me lidhje të drejtpërdrejtë me krimin e organizuar, në Kuvend, në pushtetin vendor, apo në funksione të larta apo funksione kyçe të administratës publike dhe organeve ligjzbatuese, përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike dhe për vetë sigurinë kombëtare. Opozita parlamentare, sjell në vëmendje qëndrimin e mbajtur shumë kohë më parë mbi këtë problematikë nga Paolo Borsellino, magjistrat i Antimafias Italiane, simbol i luftës së shtetit ndaj mafias/krimit të organizuar, i vrarë nga organizatat kriminale në vitin 1992, i cili shprehej se: “Ekziston një keqkuptim bazë sipas të cilit politikani që shoqërohet me mafiozë, nëse nuk dënohet nga gjykata, është i ndershëm! JO! Gjykata mund të bëjë vetëm vlerësime të natyrës gjyqësore. Është detyrë e institucioneve që TË FLAKIN politikanët e afërt me Mafian, për të qenë të ndershme dhe për t’u shfaqur si të tilla”. Kriminalizimi i qeverisjes, përmes lidhjeve të krimit të organizuar me funksionarët e lartë publikë, duhet të eliminohet përfundimisht, nëpërmjet një ligji të posaçëm që përcakton kriteret dhe rrethanat që ndihmojnë dekriminalizimin e mëtejshëm të institucioneve publike, realizimin e vettingut ndaj zyrtarëve të lartë me qëllim shkëputjen e lidhjes së qeverisjes me krimin, si dhe mbajtjen në funksion vetëm të individëve që kanë integritetin e duhur të figurës së tyre. Për këtë qëllim, propozojmë miratimin e një projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. Qëllim i projektligjit është të garantojë integritetin e personave që zgjidhen, emërohen apo ushtrojnë një funksion publik, nëpërmjet shtrirjes së vettingut edhe tek politikanët në detyra shtetërore dhe funksionet e tjera kushtetuese, si dhe mbrojtjen në të ardhmen të funksionimit demokratik dhe ligjor të organeve kushtetuese dhe në përgjithësi, i sistemit demokratik, në përputhje me standardet ndërkombëtare, apo praktikat e vendosura nga shtetet e Këshillit të Europës, apo shtete të tjera demokratike. Ky qëllim përmbushet duke parandaluar zgjedhjen apo emërimin në kushtet e ekzistencës objektive të shkaqeve që cënojnë figurën e zyrtarit apo besimin e publikut në funksionimin e organit ku zyrtari është zgjedhur apo emëruar. Ndryshimet e propozuara nëpërmjet këtij projektligji parashikojnë që e drejta për t’u zgjedhur, të kufizohet edhe në rastin e shtetasve që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Për këtë qëllim, është shtuar në Kushtetutë “Pjesa e Gjashtëmbëdhjetë/1”, ku sanksionohet përfshirja në vetting dhe sistemi i kontrollit të figurës me qëllim mbrojtjen dhe garantimin e mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, qeverisë, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese apo të krijuara me ligj, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje i personave që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Sipas projektligjit, subjektet që i nënshtrohen vettingut, dorëzojnë një deklaratë dhe i nënshtrohen kontrollit të figurës, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Nëse subjekti që i nënshtrohet vettingut ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, nuk e dorëzon në kohë deklaratën për figurën apo përpiqet të bëjë deklarime të pasakta, ose të fshehë kontaktet të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, atëherë sipas ligjit ndaj tij zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën. I njëjti ndalim zbatohet edhe kur me vendim të organit përgjegjës kushtetues, për subjektin vërtetohet mosjustifikimi i ligjshmërisë së pasurisë. Është e qartë dhe e drejtë se shumica e qytetarëve shqiptarë e konsiderojnë si të papërshtatshme kontaktin dhe lidhjen e ngushtë midis krimit të organizuar dhe funksionarëve publikë. Për pasojë, në demokraci duhet garantuar që personat që konsiderohen nga shumica e votuesve si të papërshtatshëm për të vendosur për interesat e tyre, të qëndrojnë jashtë vendimmarrjeve legjislative apo Qeverisë. Qëllimi i masave të tilla ka për synim mbrojtjen e funksionimit demokratik të institucioneve nga ndikimi i krimit të organizuar. Është interes i lartë publik që politikbërja dhe vendimmarrja të imunizohen nga ky ndikim. Marrëdhënia e funksionarëve të lartë të shtetit me eksponentë të krimit të organizuar, është degradim i standardit etiko-moral të funksionarëve publikë dhe një pengesë serioze për zbatimin e ligjit dhe për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Është vështirë të imagjinohet që në Shqipëri, një punonjës policie, të identifikojë, arrestojë apo parandalojë aktivitetin kriminal të një pjesëtari të një organizate kriminale, nëse ai konstaton apo shikon që ky individ shoqërohet gjatë gjithë ditës me deputetin e zonës, Ministrin apo Kryeministrin, që kanë në dorë fatin e marrëdhënies së tij të punës. Kriminalizimi i qeverisjes, për shkak të lidhjeve të ngushta të funksionarëve të lartë publikë me eksponentë të krimit të organizuar, dëmton rëndë zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, duke cënuar rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme interesin publik. Grupet kriminale, duke shfrytëzuar lidhjen e tyre me funksionarët e lartë publikë, nxisin që këta të fundit të punojnë për interesat e tyre, të cilat qartësisht nuk përkojnë me interesat e qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi apo me interesin publik, i cili duhet të jetë në fokus të punës së institucioneve publike. Opozita vlerëson se miratimi i këtij projektligji dhe vettingu për të gjithë politikanët në detyra shtetërore dhe zyrtarët e tjerë të lartë publikë, duhet të bëhet pa vonesë dhe të fillojë të aplikohet menjëherë. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë një përfaqësim dinjitoz, jo nga njerëz të lidhur me krimin e organizuar, por nga burra dhe gra, bij dhe bija që punojnë në interes të tyre dhe luftojnë krimin e organizuar. Ky projektligj i shërben pikërisht dekriminalizimit të plotë të politikës, vettingut ndaj çdo funksionari kushtetues dhe mos përdorimit të krimit për të ardhur në pushtet apo mbajtur pushtetin.

 

Rezultatet e dekriminalizimit

Deputetë të larguar 6

Deputetë të dorëhequr 3

Deputetë në hetim 12

Kryebashkiakë të shkarkuar 1

Kryebashkiakë në hetim 3

Zyrtarë drejtues të larguar 45

Zyrtarë të tjerë të larguar 110

Këshilltarë bashkiakë të shkarkuar 35

Këshilltarë bashkiakë të dorëhequr 21

Kandidatë për deputetë të larguar 18

Gjyqtarë të dorëhequr 5

Nëpunës publikë lokalë të larguar 89