Vitin e ardhshëm, tekste falas edhe për fëmijët e klasës së pestë

Vitin e ardhshëm do të mundësohen tekste falas edhe për fëmijët e klasës së V, ndërkohë që për këtë vit shkollor reformat në arsim mundësuan tekste falas për 190 mijë fëmijë nga klasa e I në të IV.

Gjatë diskutimit në Kuvend të aktit normativ të buxhetit 2018, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla shprehu keqardhjen për mungesën e opozitës në seancë, ndërsa theksoi se “vëmendja jonë mbetet orientimi i veprimit politik drejt interesave të qytetarëve”.

Nikolla bëri një bilanc të rrugëtimit të reformës në arsim, ndërsa solli në vëmendje faktin se në vitin 2011, gjatë qeverisjes demokratike, ekspertiza ndërkombëtare në arsim vlerësonte sistemin arsimor në Shqipëri, si më të ngarkuarin në Europë.

“Në janar 2011, ekspertiza ndërkombëtare në arsim vlerësonte se plani mësimor në Shqipëri është një nga më të ngarkuarit në Europë; kurrikula dhe programet e ndërtuara ishin shumë të mbingarkuara dhe të përshtatura dobët për moshën e nxënësve. Po ashtu vlerësohej se kurrikula nuk përmbushte nevojat dhe interesat e vërteta të nxënësve”, – tha Nikolla.

Kjo, sipas saj, ishte pikënisja ku ne kemi punuar duke dhënë një kurrikul të standardeve europiane.

“Në prill të vitit 2017, ekspertiza ndërkombëtare deklaroi se kurrikula e sistemin arsimor shqiptar mundëson zhvillimin e qëndrueshëm dhe 400 mijë nxënësit e arsimit parauniveristar punojnë mbi kurikulën e re të standardeve europiane”, tha Nikolla.

Ajo bëri dallimin mes Altertekstit që ofrohej në qeverisjen e PD-së dhe teksteve të standardeve të “Oxford”, “Cambridge” dhe “Pearson”, ndërkohë që edhe tekstet e autorëve shqiptarë janë tashmë të reformuara.

“Ne gjetëm 1310 tekste, me nga 11 alternativa për një lëndë, një kaos i vërtetë për sistemin në tërësi. Ne punuam në dy linja. Pastruam kaosin e teksteve me plot gabime, ku në morinë e 1310 teksteve vetë mësuesit hoqën 600 tituj. Pra 50 % të teksteve që përdoreshin u refuzuan si tekste me gabime të rënda që deformonin njohuritë e nxënësve”, – tha Nikolla.

Po ashtu, ajo theksoi se u vendos viti i provës për çdo tekst që hynte në sistemin arsimor.