Video e pa publikuar më parë nga sulmi terrorist i 11 shtatorit, Nju Jork

Plot 17 vjet pas tragjedisë së 11 shtatorit në SHBA, shfaqen pamje të reja, të papublikuara më parë. Pamjet i përkasin momentit pak pas rënies së kullave binjake dhe ato janë publikuar në Youtube nga Mark LaGanga, i cili në atë kohë punonte operator në “CBS Neës”.

Videoja, e cila zgjat 29 minuta pasqyron realitetin e asaj dite.

“U shemb gjithçka poshtë, një ferr”, tregojnë personat e parë që mundi të takonte operatori në momentet e para pas shembjes së kullës së parë.

“Pritet të shembet e gjitha edhe këtu”, dëgjohet dikush në një moment të dytë. LaGanga shtyhet nga kureshtja dhe i afrohet edhe më shumë kullës veriore, e cila ishte asokohe ende në këmbë, për të sjellë gjithçka nga ajo që do të bëhej më vonë “Ground Zero”.

Pas shembjes së kullës së dytë, njerëzit i largohen operatorit, ndërsa ai qëndroi i palëvizur deri në momentin kur u mbulua nga reja e dendur e pluhurit që “pushtonte” gjithçka.

Operatori shfaqet mes kollitjeve e dukej sikur për pak do të asfiksohej. Me t’u pastruar “perdja e zezë”, shihen sërish njerëz që ia mbathin ende të mbuluar tërësisht nga hiri i bardhë.