Vettingu në politikë, Balla i përgjigjet Spahos: Rama më ka ngarkuar t’ju takoj që nesër

Pas deklaratave të Lulzim Bashës se duhet të nisë menjëherë vettingu i politikës, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministri Edi Rama. Nëpërmjet një statusi në Facebook, Rama u shpreh se e mirëpret këtë propozim dhe është i gatshëm të nis diskutimet për të nisur vettingun sa më parë por duke lënë të nënkuptohet mosgjykimi i liderit të opozitës Basha, për aferën e ndërtimit rrugës Durrës Kukës.

Pas reagimit të Ramës, ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, i cili tha se në takimin e opozitës në Elbasan u prezantua platforma për shpëtimin e Shqipërisë. Por nga ana tjetër ai tha se Edi Rama e refuzon vettingun me ligj të politikanëve, sepse vetë ka lidhje me kokat kryesore të krimit të organizuar.

Por ky pohim i Spahos ka shkaktuar sërish reagimin e socialistëve, të cilët përmes kryetarit të grupit të tyre parlamentar, Taulant Balla, bëjnë me dije se Rama dhe PS janë gati të nisin bisedimet për ta konkretizuar këtë çështje.

Madje Balla bën me dije se ai është ngarkuar nga vetë kryeministri për t’u njohur me projektin konkret të opozitës për këtë proces.

Reagimi i Taulant Ballës

Sapo i kam dërguar një mesazh mikut dhe kolegut tim, Edmond Spaho, pasi lexova një prononcim të tij ku thoshte se:

“Refuzimi i Edi Ramës për Vettingun me ligj të politikanëve provoi se Rama është peng i krimit. Kryeministri i krimit po përdor drejtësinë e tij dhe mediat e tij për të mashtruar shqiptarët. Edi Rama e refuzon Vettingun me ligj të politikanëve, sepse vetë ka lidhje me kokat kryesore të krimit të organizuar”.

I dashur Mondi, lexova reagimin tënd ku akuzoje Ramën se ka refuzuar këtë të Vettingut! U habita e desha të pyes njëherë se mos është lajm i rremë, se Rama e tha qartë që jemi shumë dakord. Madje ai më ngarkoi mua të komunikoj nesër me ty për të mësuar më shumë mbi idenë që keni për këtë nismën e Vettingut të politikanëve. Sepse nga teksti nuk kuptohej asgjë konkrete si e ka idenë Luli, madje mëshumë dukej si tekst kundër Reformës në Drejtësi, se sa për thellimin e Vettingut. Ne nga ana jonë jemi gati dhe jam në dispozicion. Taulanti!

/Koha Jonë