Vetting për politikanët, Manjani: Vetëm kështu rritet besimi i njerëzve

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka përkrahur nismën ligjore për vetingun në politikë, të shpallur nga vet kreu i PD, Lulzim Basha.

Manjani në një postim në Facebook shkruan se pastërtia e figurës së zyrtarit publik e politik është e rëndësishme, pasi në këtë mënyrë rritet besimi i njerëzve tek shteti dhe politika.

Më tej ish-ministri shton se po kaq e rëndësishme është vendosja e një sistemi politik dhe zgjedhor konkurrues.

Postimi i plotë i Ylli Manjanit

Propozim:
———
Vetting për politikanët?!

Plotësisht dakort!

Pa dyshim, pastërtia e figurës së zyrtarit publik e politik është e rëndësishme. Kështu mund të rritet besimi i njerëzve tek shteti dhe politika.

Por më i rëndësishëm është vendosja e një sistemi politik dhe zgjedhor konkurrues. Se mund të kemi njerëz “të pastër” pas vetting-ut, por sistemi i bën njësoj pis…

Ndaj insistoj që një sistem zgjedhor Proporcional Kombëtar është zgjidhja e krizës së demokracisë në vend!

Arroganca e pushtetit politik, në fillim vjen nga vota me vullnet të devijuar. Pastaj vijnë paratë dhe “të fortët”. Këto të fundit janë “mjeti”…

Duhet të vendosim demokracinë në rend të ditës! Stabiliteti na çoi në këtë derexhe…