Stoltenberg mesazh Maqedonisë: Ne ju presim, ju vendosni nëse do jeni anëtari i 30-të i NATO-s

“E vlerësoj partneritetin me vendin tuaj. Për disa javë do të keni referendum në të cilin do të vendosni nëse do t’i bashkoheni bashkësisë ndërkombëtare. U mbetet qytetarëve të vendosin, ne jemi të gatshëm t’ju presim si anëtarja e 30-të e Aleancës”. Kështu deklaroi sot sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në konferencën për shtyp me ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, pas stërvitjes demonstruese të Regjimentit të operacioneve speciale në kazermën në “Ilinden”.

Ai përkujtoi se në korrik të gjitha 29 aleatet janë pajtuar ta pranojnë Maqedoninë si anëtarja e 30-të e Aleancës.

“Vendi juaj ka ushtarë të stërvitur mirë të cilët janë të gatshëm të marrin pjesë në operacione të vështira. Pjesëtarët e armatës së vendit tuaj marrin pjesë në misionet e kryesuara prej NATO-s në Afganistan dhe në Irak dhe në vende të tjera, që tregon se keni armatë e cila është e aftë të kontribuojë në sigurinë ndërkombëtare”, tha Stoltenberg.

Shekerinska nga ana e saj theksoi se deri më tani 4.000 pjesëtarë të ARM-së kanë marrë pjesë në misione të ndryshme të NATO-s viteve të kaluara.

“Për ne ky është partneritet në të cilin mund të mbështetemi, kur na duhej ndihma NATO ishte këtu për ne”, tha Shekerinska.

Ajo theksoi se çdo pjesëtar i ARM-së i cili periudhën e kaluar mori pjesë në misione të ndryshme, ishte një argument më shumë në dobi të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

“Dua t’ua shpreh mirënjohjen time të gjithë pjesëtarëve të ARM-së, ata ishin diplomati i vazhdueshëm i qetë i anëtarësimit tonë në NATO”, shtoi ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë.