Rama: Platforma e bashkëqeverisjes, rruga më e shkurtër për të zgjidhur një hall

Platforma e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al është rruga më e shkurtër e çdo qytetari që kërkon të zgjidhë një hall a problem, me administratën shtetërore.

Në takimin e përjavshëm me kordinatorët e platformës së bashkëqeverisjes, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “kjo platformë është ura e sigurt e bashkëveprimit mes anëtarëve të qeverisë dhe njerëzve të zakonshëm të këtij vendi”, tha Rama.

Kryeministri ripërsëriti mesazhin e përjavshëm për të gjithë qytetarët që kanë probleme me zyrat e shtetit që t’i drejtohen platformës dhe të mos humbasin kohë me rrugët e vjetra të ecejakeve.

“Vetëm 3 minuta nëse i drejtoheni platformës, anëtari i kabinetit që mbulon fushën përkatëse është në dispozicion dhe gjithë struktura përkatëse futet në veprim për të dhënë zgjidhje”, tha Rama.

Ai theksoi po ashtu se “ky është kontribut i drejtpërdrejt për të pastruar zyrat e shtetit nga punonjës të papërgjegjshëm, grabitqarë apo parazitë, që në vend se t’u shërbejnë qytetarëve, bëhen shkak për vonesa që sjellin stres dhe pasoja në jetën e përditshme të familjeve të zakonshme të këtij vendi”.