Panucci piketon formacionin anti-Izrael, ka shumë surpriza

Kombëtarja shqiptare është tashmë gati për të pritur ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve, të cilën do ta luajë mbrëmjen e të premtes në “Elbasan Arena”, ndaj Izraelit. Trajneri Christian Panucci ka preferuar ta zhvillojë stërvitjen e fundit larg syrit të kamerave, por ai mesa duket nuk ka mundur ta fshehë formacionin.

Në portë do të aktivizohet nga minuta e parë Thomas Strakosha, i cili duket se ka fituar balotazhin me Etrit Berishën dhe është gati të mbrojë katërkëndëshin e Shqipërisë në “Elbasan Arena”. Në mbrojtje, Hysaj në të djathtë dhe Gjimshiti në qendër, janë të sigurt në 11-shen e parë, ndërsa Frederik Veseli duket favorit për të luajtur në krah të mbrojtësit të Atalantës, duke lënë në stol Mërgim Mavrajn, që vjen pas një periudhe të gjatë pa skuadër. Në të majtë të mbrojtjes është rikthyer Ansi Agolli, por kapiteni duket se do ta nisë takimin nga stoli, pasi Panucci është bindur nga talenti 23-vjeçar i Malmos në Suedi, Egzon Binaku.

Në mesfushë tekniku italian pritet t’i besojë eksperiencës së Xhakës, Bashës dhe Memushajt, të cilët dinë të ruajnë balancat, duke mbyllur hapësirat në prapavijë dhe duke ndihmuar në organizimin e sulmeve. Sa i përket sulmit, surpriza e vetme mund të jetë ish sulmuesi i Skënderbeut, Enis Gavazaj, i cili mund ta nisë takimin si titullar në të majtë të sulmit, duke përfituar nga një gjendje jo optimale e Eros Grezdës, që vjen pas një dëmtimi të gjatë.

Në të djathtë të këtij reparti do të luajë Jahmir Hyka, i cili gëzon një formë mjaft të mirë dhe ka bindur Panuccin se mund të jetë i vlefshëm me depërtimet e tij, ndërsa duelin shkodran për majën e sulmit duket se e ka fituar sulmuesi i Oostendes në Belgjikë, Sindrit Guri.