“Njerëzit po tregohen të pandershëm me Ozil, ai nuk di të kapë futbollistë për fyti”

Kritikat për Mesut Ozil nuk kanë të sosur. Pas atyre në kombëtaren gjermane prej të cilës fantazizti dha dorëheqjen tani ai po përballet me probleme edhe te Arsenal.

Gjithsesi nuk mungojnë as kolegët që i dalin në mbrojtje. Nacho Monreal, shoku i skuadrës te “topçinjtë” e Londrës është shprehur:

“Njerëzit kanë qenë disi të pandershëm me të. Ai është një futbollist shumë i famshëm dhe natyrshëm që atyre u pëlqen të flasin për të. Fatkeqësisht kohët e fundit vetëm për gjëra negative. Njëlloj si herën e fundit ai ishte i sëmurë ndaj dhe nuk luajti me Arsenal.

Njerëzit ndërkohë nisën të shpifin, gjoja sikur ai të kishte probleme me trajnerin. Nuk është e vërtetë. Ai ishte sëmurë. Prandaj nuk luajti,”-deklaron fillimisht Monreal.

Trajneri Emery e gradoi turko-gjermanin si një nga kapitenët e skuadrës, por menjëherë nuk munguan kundërshtimet. Presidenti i Bayern Munich, Uli Hoeness, i cili njihet si kritik i madh i Ozil, me ironi deklaroi se kjo ishte një mrekulli.

Sa i takon kësaj çështje Monreal për “sky sports” deklaroi: “Njerëzit duhet të kuptojnë se çdo futbollist është i ndryshëm. Ai është në këtë mënyrë dhe njëlloj ka qenë edhe para 10 vitesh. Ndaj nuk mund të pretendosh që ai të nisë tani të debatojë e luftojë, të flasë me arbitrin, sepse ai nuk e ka bërë kurrë. Ozil nuk do të ndryshojë për këtë arsye.

Gjëja e rëndësishme është që ai luan në nivelin e tij maksimal, jep shumë asiste, shënon shumë gola dhe ndihmon ekipin. Kjo është ajo që ai di të bëjë. Ai nuk di të shkojë dhe të kapë për fyti ndonjë futbollist.”