Nesër ndeshja në “Elbasan Arena”, kombëtarja e Izraelit në Shqipëri me shërbim sigurie

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Izraelit e cila do të luhet më 7 shtator në “Elbasan Arena” do të monitorohet nga 1500 efektivë policie, 300 roje private dhe një numër i caktuar punonjës sigurie që do të vijnë nga Izraeli.

I ftuar në studion e lajmeve të Ora News, gazetari dhe redaktori i lajmeve të Ora News, Trazhgim Sokolaj tha se nuk ka informacione për akte apo veprime konkrete. Sipas tij, Israeli ndjek këtë protokoll sigurie për kombëtaren dhe kjo nuk është specifike për Shqipërinë.

Trashegim Sokolaj: Nga informacionet që kemi aktualisht plani i sigurisë në Elbasan është i tillë që do të ketë 1500 efektiva të policisë, 300 roje private dhe një numër të caktuar me punonjës sigurie të ardhur nga Izraeli. Janë punonjës të shërbimeve të sigurisë atje. Ky është një protokoll sigurie që ndjekin për kombëtaren e tyre, nuk është specifike për Shqipërinë.

Ajo që duhet të theksojmë është që nuk ka sinjalizime për akte apo për veprime konkrete. Thjesht është një protokoll sigurie që po ndiqet nga organet e rendit lokale në Elbasan dhe qendra këtu në bashkëpunim me autoritet e huaja për të gartantuar çdo gjë në këtë aktivitet.

Në lidhje me paralajmërin që DASH i bëri qytetarëve amerikanë në Shqipëri, Sokolaj dha dy elementë. E para, kjo është një metodë që Amerika e ndjek gjithmonë, madje edhe kur protestohet dhe elementi i dytë lidhet me faktin se Elbasani është një qytet me numër të lartë të personave që janë radikalizuar.

Trashegim Sokolaj: Sa i përket njoftimit që bëri DASH ka dy elementë: Elementi i parë është metodika që ata ndjekin në rastet e tilla. Kur opozita proteston në Tiranë, një ditë dalin dhe paralajmërojnë qytetarët e saj që të kenë kujdes. Elementi i dytë që është më i rëndësishëm ka të bëjë me faktin që ndeshja zhvillohet në Elbasan dhe qyteti i Elbasanit 10-vjeçarin e fundit ka qenë në vëmendjen e strukturave të rendit për shkak të numrit të lartë të personave që frekuentojnë rrymat ekstremiste të besimit. Disa prej të cilëve janë edhe sot në rajonet e luftës në Siri.

/Ora News