Merruni me Kryeministrin, jo me Fatmir Xhafaj!

Opozita duket se ka ndryshuar strategji këtë vjeshtë përballë kryeministrit Rama. Nëse referohemi deklaratave të Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit se “do ta rrëzojmë kryeministrin Rama para zgjedhjeve vendore”, duhet të pranojmë se ka një skenar të përbashkët për të goditur mu në “zemër” të qeverisë. Nëse opozita i qëndron variantit të thënë prej saj se “Edi Rama është koka e krimit të organizuar dhe mafies, se ai bashkë me oligarkinë drejtojnë Shqipërinë”, etj etj, atëhere duhet që PD-LSI dhe forcat e tjera opozitare të përgatiten për rrëzimin e kryeministrit, e jo duke e goditur atë në brryl apo anash, siç po ndodh këto ditë, kur PD sulmon Fatmir Xhafën, duke kërkuar shkarkimin e tij. Fatmir Xhafaj, duam apo nuk duam, mbetet ministër stoik dhe që ndërkombëtarët e duan. Arësyen pse e duan këtë e hamëndësojmë, por nuk e verifikojmë dot, gjithnjë nëse nuk duam të bëjmë lojën me fakenews. Ndaj taktika e opozitës duke goditur ministrin e brendshëm Fatmir Xhafaj e jo direkt kryeministrin Rama, ka mundësi të sjellë çoroditje elektorati e hutim të ndërkombëtarët. Opozita duhet të ketë synim vetëm rrëzim të kryeministrit. Dikush mund të thotë se duke ia hequr “tullat” e qeverisë një e nga një kryeministrit, një ditë do të bjerë vetë; por kjo është teori e parealizueshme. Edi Rama, nëse duan ta rrëzojnë seriozisht, ikën vetëm me protesta të përditshme dhe, nëse ai provokon, edhe të dhunshme. Kush e njeh atë, ai mbetet mjeshtër i makinacionëve, aqsa vjet turbulloi kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe liderin historik Berisha, kur i mori përdore dhe i futi në qeveri. Dhe u mori votat, duke i lenë me gisht në gojë.

Kështu që nëse duan të jenë korrekt me premtimin e tyre publik dhe me elektoratin e tyre, opozita duhet të fillojë përgatitjen për “grushtin final”. E përsërisim: nëse duan ta rrëzojnë seriozisht.

Natyrisht të gjitha goditjet si ndaj ministrit Xhafaj, ministrit Gjiknuri, Ahmetaj, apo një mori ministrash të tjerë, e bëjnë efektin e zhurmës dhe krijim të një klime sulmi ndaj kryeministrit. Por kur bateritë shenjëstrohen vetëm te ministrat e jo mu në ballë te kryeministrit, pak gjasa ka që ta rrëzojnë, siç thonë në PD e në LSI. Për çudi forumet rinore FRD dhe LRI janë gati për përballje që sot, por selitë e tyre partiake akoma nuk po caktojnë datën e madhe të përplasjes. Shtatori filloi dhe do të ikë nga pak e përditë pa kuptuar, duke u marrë me ministrin Xhafaj që ta shkarkojmë apo jo, kur “ujku” është aty në kryeministri.

Edi Rama nuk është i kollajtë për t’u rrëzuar. E para ka 78 mandate sot, e dyta ka oligarkët e biznesit dhe të medias në “sofër” përnatë, e treta ka futur në lojë Thaçi-Vuçiç në Ballkan, duke iu sjellë të dridhura Europës dhe nuk ka ndërkombëtarë që merret me Shqipërinë për një ministër, sado i rëndësishëm që të jetë.

BE dhe SHBA e kalojnë axhendën nga injorim për çfarë ndodh sot në Shqipëri, në axhendë kryesore vetëm nëse Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi mbledhin 100 mijë njërëz para kryeministrisë ditë-natë duke u përleshur me krimin dhe mafien në pushtet. Nëse populli nuk mban më, edhe dhunshëm. Kemi parë protesta të dhunshme nëpër Europë. Në këtë rast axhenda amerikane dhe europiane harron dyshen Thaçi-Vuçiç dhe vijnë në Tiranë për zgjidhje politike.

Në të kundërt duke u marrë me të gjitha bateritë për shkarkimin e ministrit Fatmir Xhafaj, ata, amerikanët, ka mundësi të marrin paksa inat. FBI është prezente në Tiranë për krimin e organizuar, mafien e drogës, korrupsionin e lartë shtetrore dhe për disa gjëra që Basha e Kryemadhi i dijnë me mirë së deputetët e tyre. Ndaj “kupolës së krimit”, siç e perifrazojnë Edi Ramën, nuk i bihet nga krahët, por direkt në ballë. Ai po të jetë nevoja për të shpëtuar për veten e shet edhe ministrin Xhafaj, kështu që opozita ka vetëm një kundërshtar, ai quhet Edi Rama. Gjithnjë po flasim për çka Basha dhe Kryemadhi deklarojnë përditë duke akuzuar kryeministrin.

Ndryshe do vijnë zgjedhjet vendore, të cilat do ti blejë PS-ja. Dhe më pas, opozita nuk ka se ç’thotë, ndërkohë që Brukseli e Uashingtoni kanë hallet e tyre.

Nëse duan PD dhe LSI godasin me popull te kryeministri. Nëse bëjnë sikur, le të merren me ministrat e Ramës.

S.P.