Menaxheri shqiptar del në krah të Panuccit: Nishani gaboi, nuk ka kuptim të akuzojë një politikan

Padia e trajnerit të kombëtares, Christian Panuccit ndaj ish-presidentit të Republikës, Bujar Nishanit ka bërë shumë bujë në mediat vendase. Strategu italian kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim, pasi ish-presidenti e quajti sharlatan pas miqësoreve të humbura. Një ndër personazhet që ka reaguar dhe i ka dalë në krah teknikut të kombëtares është menaxheri Sokol Haxhia.

“Padia që ka bërë Panucci është normale, pasi Nishani për rolin që ka patur si ish-president republike nuk i takon që trajnerin e kombëtare shqiptare, që është një nga figurat më të rëndësishme të Shqipërisë ta krahasojë me një sharlatan. Ai nënkupton që Panucci është një person i papërgatitur, mashtrues dhe qesharak me epitetin që i ka vendosur. Nëse i kishte thënë se është trajner i paaftë dhe kot, Panucci nuk do të bënte padi penale.

Mendoj se e ka paditur, pasi është ndjerë i ofenduar. Ai ka kërkuar 100 mijë euro, por nuk ka nevojë për aq para. Mjafton të shohësh CV e tij. Ai ka luajtur me klube të mëdha të Europës. Mendoj se në vitin që ka qenë më pak i paguar mund të ketë qenë 1.5 milionë euro. Nëse i përmbledh bonuset nga fitimet e kampionateve dhe Champions League, ata para që ka kërkuar nuk janë asgjë për të. Madje mund t’i japë dhe për bamirësi.

Nishani duke ulur figurën e Panuccit ka ulur figurën e FSHF-së, pasi janë drejtuesit e Federatës që e kanë zgjedhur si trajner. Po sulmohet Panucci, por mendoj se ai ka bërë mirë që ka provuar lojtarët e rinj në miqësore. Nuk u fol kështu kur barazoi me Maqedoninë, luajtëm mirë me Spanjën dhe Italinë. Një person duhet të jetë dhe objektiv. Nëse do ta akuzonte një ish-sportist, trajner, drejtues dhe mund ta kuptoja, por një politikan, nuk ka kuptim. Jam nga ana e Panuccit, pasi çdo njeri i sportit duhet të jetë me të. Ai mund të thojë se nuk është i përgatitur ose De Biasi është më i mirë.

Dua të kujtoj se kur erdhi De Biasi në dy vitet e para dolëm të parafundit në kualifikuese, pastaj dhe me meritën e FSHF-së u rinovua ekipi dhe shkuam në Europian. Panuccit duhet t’i japim kohë. Nuk ka eksperiencë të madhe si trajner, por ka një eksperiencë shumë të madhe si lojtar që mund të na e përçojë. Shpresoj që lajme të tilla të mos dalin në Itali, pasi na ulin figurën në arenën ndërkombëtare”, përfundoi Haxhia në prononcimin e dhënë për “Telesport”.