Mazhoranca teston numrat, në Kuvend për ligjet me shumicë të cilësuar

Parlamenti pritet të “kalojë” aktin normativ të buxhetit, Kodin Rrugor dhe Statusi e Gjyqtarit

-Herion Mesi

Seanca plenare të ditës së sotme pritet që të shndërrohet në testin e forcës për mazhiorancën socialiste, e cila pritet të votojë në parlament ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, ndryshime këto që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash. Kështu seanca e sotme do të shërbejë për të parë dhe bashkëpunimin parlamentar mes PS-së dhe PDIU-së së Shpëtim Idrizit, ku pavarësisht deklaratave publike për çështje të ndryshme, në votimet e nismave të qeverisë deputetët e PDIU-së kanë bashkuar votat me ato të socialistëve.

Po ashtu, në Kuvend pritet të kalojë dhe akti normativ i Buxhetit 2018. Pasi të kryhen diskutimet përkatëse dhe të shprehet komisioni përgjegjës për Ekonominë dhe Financat, do të kryhet edhe procesi i votimit. Me aktin normativ pritet që të sigurohet një shpërblimi për pensionistët dhe familjet në nevojë në fund të vitit. Ndërkohë që synohet që të rritet efiçenca e përdorimit të burimeve publike për rialokimet drejt projekteve të investimeve me progres të mirë deri tani. Si dhe të garantohet rritje  e sigurisë në realizimin e treguesve të buxhetit.

Ndërkohë që parlamenti do të votojë edhe një sërë projektligjesh të mbartura si ai “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, si dhe projektligji i “Kodit Rrugor ”, të ndryshuar. Për shkak të moskonstituimit të institucioneve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Shkolla e Magjistraturës aktualisht ndodhet në pamundësinë e organizimit të provimit të pranimit për kandidatët për magjistratë.

Kështu ndryshimet e parashikuara i japin mundësinë  Shkollës  së  Magjistraturës të organizojë jo më vonë se muaji tetor, konkursin për pranimin e 25 kandidatëve për magjistratë për vitin akademik 2018-2019, dhe të dyfishit të këtij numri për vitin akademik 2019-2020. Ndarja e profilit si gjyqtar dhe prokuror për kandidatët fitues për çdo vit akademik do të jetë përkatësisht 3/5 gjyqtarë dhe 2/5 prokurorë, dhe do të përcaktohen nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës.

Ndërsa ndryshimet që kërkohen të bëhen sipas  projektligjit për Kodin Rrugor, kanë të bëjnë me ndryshimet e masës administrative të vendosjes së gjobave kryesisht për mbrojtjen e infrastrukturës rrugore nga dëmtimet dhe vjedhjet.

Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe propozimeve të bëra nga autoshkollat për disiplinimin e aktivitetit në trajnimin e kursantëve. Si dhe ndryshime do të pësojë edhe neni 18 i Kodit Rrugor që ka të bëjë me sistemin e pikëve të revokimit të leje-drejtimit.