Kokëdhima: Pa reformim të zgjedhjeve nuk do çelen negociatat në 2019

Kryetari i Partisë “ZGJIDHJA”, Koço Kokëdhima i ftuar në studion e lajmeve të Ora News tha se nëse nuk reformohen zgjedhjet, Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat në qershor të 2019.

Duke hedhur akuza mbi dy partitë e mëdha, PS dhe PD, Kokëdhima u shpreh se këto forca politike janë mëkataret më të mëdha të tranzicionit shqiptar. Ai tha se duhet të ripërtërihet elita politike aktuale.

Kokëdhima: Të gjithë e dimë se Shqipëria nuk bën zgjedhje të lira dhe të barabarta. Nëse ne sot jemi një popull i palumtur duhet ta kuptojmë se jemi të palumtur për shkak se qeverisemi keq për shkak se janë rrëzuar të drejtat e qytetarëve, sovranitetin e popullit, janë rrëzuar përfitimet dhe gjendja e mirë ekonomike dhe shancet e shqiptarëve për të bërë një jetë më të mirë këtu. Kështu që e gjithë zanafilla e të këqijave të shqiptarëve janë në faktin që shqiptarët nuk arritën të ndërtojnë dot një shtet demokratik dhe një republikë në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale për Shqipërinë.

Shqiptartët ndërtuan një autokraci, tirani, një regjim hibrit, një qeverisje antidemokratike. Zëvendësuan republikën me një marrëveshje mes dy partive të korruptuara, PD dhe PS që vetëm kanë bërë korrupsion, krime dhe keqqeverisje në Shqipëri.

Ka ardhur momenti që shqiptarët të rregullojnë punët e tyre. Si do rregullohen punët e Shqipërisë nëse nuk vendosen zgjedhjet e lira dhe të barabarata dhe pas këtyre të përtërihet elita politike e Shqipërisë. Duhet të largohet kjo elitë politike. Kjo është një gjë që e thonë të gjithë shqiptarët. Nëse duhet të largohet kjo elitë politike fillimi i largimit paqësor të saj është reforma zgjedhore që garanton zgjedhje të lira dhe të barabarta. Nuk do ketë asnjë progres Shqipëria nëse nuk do të reformohen zgjedhjet. Zgjedhjet nuk ka dyshim që do reformohen, por pyetja është a do reformohen zgjedhjet para 2019 apo jo? A do reformohen zgjedhjet e ardhshme të 2019? Por nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria do iki nga thonjtë e rilindjes dhe SHQUP dhe këtu do vendosen liritë ekonomike dhe njerëzore. Nëse këta do rezistojnë, do vazhdojnë kompromisin e tyre të fshehtë, PD dhe PS dy  mëkatarët më të mëdhenj të këtij tranzicioni do vazhdojnë me pakte të fshehta, ujdinë e tyre në kurriz demokracisë dhe të Shqipërisë, atëherë ata do t’i humbin shanset që ka Shqipëria për të filluar negociatat për hapjen e negociatave qershorin e ardhshëm.

Kokëdhima tha gjithashtu se partia që ai drejton në zgjedhjet lokale të 2019 nuk do bashkëpunojnë me asnjë forcë politike, po do luftojnë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kokëdhima: Ne nuk shkojmë në zgjedhje të cilat janë në thonjtë e SHQUP-it dhe Rilindjes. Ne nuk shkojmë në zgjedhje që të na numërojë votat Rama, Basha dhe Berisha. Ne do shkojmë në zgjedhje të lira dhe të barabarta. Kjo do të thotë që ne do luftojmë bashkë me shoqërinë shqiptare, me shoqërinë civile, popullin shqiptar, bashkë me forcat demokratike,  bashkë me miqtë e Shqipërisë në Botë do luftojmë deri në fund për zgjedhje të lira dhe demokratike.