Debati për kufirin Kosovë-Serbi, Shaip Kamberi: Bujanoci dhe Medvegja të mos lihen jashtë

Kreu i komunës së Bujanocit, një nga politikanët kryesorë të Luginës së Preshevës, Shaip Kamberi, deklaron se nëse Serbia i konsideron shqiptarët si elementë të huaj dhe nuk i dëshiron, atëherë zgjidhja mbetet që e gjithë Lugina t’i bashkohet Kosovës.

Përmes një interviste për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në televizionin “News 24”, Kamberi komenton diskutimet në lidhje me çështjen e korrigjimit të kufirit apo siç ekspertët politikë e quajnë ndryshim kufijsh.

“Në vazhdimësi Lugina e Preshevës ka pasur kërkesa politike drejtuar Beogradit për realizimin e të drejtave të shqiptarëve të cilat kanë hasur në vesh të shurdhër. Në asnjë moment kërkesat politike të Luginës së Preshevës nuk kanë qenë të atilla që të dëmtojnë pozitën e Kosovës në bisedimet me Serbinë. Ne kemi kërkuar parimin e zbatimit të reciprocitetit në raport me të drejtat e serbëve në Kosovë. Ndërkohë ka lindur ideja për korrigjimin e kufijve. Kjo ide tashmë është hedhur në opinionin publik Ne e kemi përkrahur si ide duke u bazuar edhe në referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992 në të cilin shqiptarët janë deklaruar për autonomi politiko territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Ne jemi në pritje të një përgjigje të bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me ndryshimin apo mos ndryshimin e kufijve”, thotë ai.

Por politikani Shaip Kamberi thekson se nëse palët bien dakord për ndryshim kufijsh, atëherë Kosova duhet të kërkojë edhe Bujanocin dhe Medvegjën.

“Ajo që për ne në Luginen e Preshevës është me rëndësi dhe e kemi diskutuar edhe me presidentin Thaçi dhe me autoritetet e tjera në Kosovë është se në këto bisedime Lugina e Preshevës duhet të trajtohet si tërësi. Ideja e Serbisë për shkëmbim territoresh nënkupton dhënien e komunës së Preshevës në shkëmbim të 4 apo pesë komunave serbe që janë në veri dhe në brendësi të Kosovës. Besoj se edhe presidenti Thaçi nuk do ta pranojë këtë ide. E pranueshme për ne do të ishte që shqiptaret në tërësi t’i bashkohen Kosovës”.

I pyetur nëse ekziston opsioni që në marrëveshjen e re për shkëmbim territoresh Bujanoci dhe Medvegja të mos i bashkohen Kosovës, Shaip Kamberi shprehet se “ky është një opsion gjysmë zyrtar, por ne besojmë se prapa këtij opsioni qëndron vetë presidenti Vuçiç”.

Duke i kërkuar që të shprehet qartë nëse e mbështet ndryshimin e kufijve, kreu i komunës së Bujanocit Shaip Kamberi i referohet sërish aspiratës së shprehur në referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992.
“Ne si parti politike ekzistojmë që në vitin 1990. Politika jonë e zgjidhjes së problemeve duke marrë pjesë në institucione nuk ka dhënë rezultat të mjaftueshëm. Lufta e UCPMB që ishte një nxitëse më e madhe e realizimit të të drejtave tona dha pjesërisht rezultate. Dialogu që kemi me Brukselin pas përfundimit të konfliktit po ashtu ka qenë shumë modest. Prandaj nëse Serbia nuk ka treguar në të gjithë këto vite gatishmëri politike për t’i integruar 80 mijë shqiptarët e Luginës së Preshevës atëherë është mëse e qartë se ajo na konsideron elementë të huaj, nuk na dëshiron dhe nëse nuk na dëshiron atëherë zgjidhja mbetet që ne t’i bashkohemi trungut tonë kombëtar”, deklaron kreu i komunës së Bujanocit Shaip Kamberi për “News 24”.