Zidane paralajmëron Lopeteguin: Te Reali duhet të fitosh gjithçka, ndryshe …

Zinedine Zidane është larguar prej disa muajsh nga Real Madrid, por në një intervistë të dhënë në faqen zyrtare të UEFA-s vendos t’i japë disa këshilla pasuesit të tij në pankinën më të nxehtë në Europë.

“Te Real Madrid duhet të fitosh gjithçka dhe gjithashtu ta bësh këtë duke ruajtur një nivel të caktuar loje, përndryshe… Unë gjithmonë i kam përcjellë lojtarëve filozofinë time, pavarësisht se kush ishte kundërshtari ynë”.

Zizou ka fituar tri herë Champions League në 2 vite e gjysmë që drejtoi madrilenët, por nuk mund të ndajë si më të veçantë asnjërën prej finaleve. “Të gjithë trofetë ishin fantastikë e të veçantë për arsye të ndryshme. Pak më shumë mund të veçoj të parin, sepse ishte trofeu im i parë si trajner, finalja e dytë ishte e fortë dhe me emocione sepse luanim përballë Juventusit, ndërsa e treta kurorëzoi më së miri tre sezonet e mia në Madrid”.

Tashmë që Reali nuk ka më Ronaldon, Zidane mendon Sergio Ramos ka detyrën e vështirë të bëjë liderin i vetëm. “Të dy ishin me shumë energji dhe me shumë ndikim në skuadër. Sergio ishte lider i lindur dhe ndihej prania e tij mes lojtarëve. Ndërsa Cristiano është një lider në fushë që frymëzonte shokët. Të dy kompletonin njëri-tjetrin”, deklaroi Zidane.

Francezi në fund ka disa fjalë të mira edhe për Benzema: “Karim ka qenë gjithmonë i rëndësishëm sepse ruante ekuilibrat në sulm. Ai më ka ndihmuar që të vinim në zbatim lojën që unë kisha në mendje dhe kombinonte shumë mirë me shokët e skuadrës. Është një lojtar i vërtet grupi”.