VIDEO LIVE/ Lulzim Basha rrëfen çfarë do bëjë opozita

Kryedemokrati Lulzim Basha çel sezonin politik ne media me gazetarin Çim Peka, ku i ftuar në Syri.net ai po flet për aksionin opozitës për çlirimin e qeverisë nga krimi.

Çim Peka: Kënaqësi dhe faleminderit që jeni sërish për hapjen e sezonit. Unë po e filloj me takimin që keni patur para dy ditësh në Shkodër. Z. Basha, jeni shprehur ‘Të çlirojmë Shqipërinë nga krimi’, pyetja është konkrete. Do e çlironi qeverinë nga krimi? Apo do e çlironi Shqipërinë nga qeveria?

Lulzim Basha: Të dyja shkojnë dorë më dorë. Qeveria është e kapur nga krimi, Edi Rama bashkëqeveris me kriminelët. T’i japësh fund bashkëqeverisjes së krimit, të çlirosh qeverinë nga krimi, do të thotë, të çlirosh Shqipërinë nga gjysma e bandës. Banda është ndarë përgjysmë. Njëra gjysmë terrorizon Shkodrën, Elbasanin, Durrësin, Tiranën, Fierin, Vlorën, Korçën, gjysma tjetër është në Këshillin e Ministrave dhe në Kuvendin e Shqipërisë. Pra, ashtu si krimi dhe qeveria janë bërë një dhe të pandarë, ashtu edhe pastrimi i qeverisjes nga krimi, do të thotë, pastrim i Shqipërisë nga një qeveri e bërë njësh me krimin.

Çim Peka: Si do e pastroni?

Lulzim Basha: Kjo nuk është një pyetje që i drejtohet një individi, një partie politike apo thjesht dhe vetëm opozitës, mjetet dhe mënyrat e opozitës, janë ato politike. Por forca më e madhe e opozitës, forca më e madhe e ndryshimit është mobilizimi qytetar, që pa dyshim ky do të jetë një kombinim i aksionit politik të opozitës, partive politike të opozitës, me të gjithë faktorët e tjerë shoqërorë, me të gjithë qytetarët shqiptarë, që janë ata që ndjejnë pasojat e drejtpërdrejta të bashkëqeverisjes me krimin. Dhe këto pasoja nuk kufizohen thjesht dhe vetëm në gjendjen e sigurisë, në shkolla, në rrugë, në lagje, në rrethimin e zonave të tëra të qyteteve tona, nga bandat kriminale, që i kanë bërë zonat të pakalueshme për qytetarët, në humbjen e jetëve të pafajshme, në rrëmbimin, deri edhe të fëmijëve nga bandat kriminale. Pra, në aspektin e sigurisë, bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin sjell një faturë të drejtpërdrejt në tavolinat e shqiptarëve, në shkollimin e fëmijëve të tyre, në shëndetësinë e shqiptarëve, sepse me bashkëqeverisjen me krimin, Edi Rama, dhe ministrat e tij të lidhur me krimin, dhe eksponentët e tjerë të lidhur me krimin, si; Fatmir Xhafa, Taulant Balla dhe ushtarët e krimit, ushtarët e bandave si; Jurges Çyrbja, bëjnë të mundur grabitjen dhe zhvatjen e taksave të shqiptarëve, taksave që në vend se të shkojnë për të bërë rrugë, ujësjellës, shkolla, spitale, për të rritur pensionet, për të ofruar shërbim më të mirë shëndetësor, përfundojnë si PPP, tendera e koncesione dhe kontrata korruptive, të cilat përfitohen nga një grusht njerëzish të lidhur me krimin dhe një grusht oligarkësh. Pra, krimi ka një faturë ekonomike, ka një faturë sociale dhe natyrisht ka një faturë të tmerrshme psikologjike dhe sigurie, humbje jetësh për qytetarët e pafajshëm shqiptarë.

Çim Peka: Z.Basha. E spostuat opozitën Shkodër për të marrë informacion pa filtër siç u shprehët, apo edhe për t’i dhënë zemër qytetarëve mbi situatën në të cilën ndodhet Shkodra?

Lulzim Basha: Të dyja pa dyshim.

Peka: Nga disa media u raportua se nuk kishte qytetarë që të pritën, apo të takuan përveç grupit opozitar.

Basha: Si nuk kishte qytetarë?

Peka: As në sallë dhe as në rrugë. Nga e morët informacionin?

Basha: Në sallë kishte një mbledhje të grupit të opozitës, natyrisht që në Shkodër në takuam edhe qytetarë edhe përfaqësues politikë, këto janë marrëzi. Nuk e di ku e keni parë apo e keni lexuar, por janë marrëzirat e freskoreve të qeverisë. Gjendja në Shkodër është shumë e rëndë. Aty duhej të ishte kryeministri. Kryeministri kishte zgjedhur të fshihej pas Taulant Ballës dhe Fatmir Xhafës, sepse siç e thash sot kryeministrin e kemi vetëm në letër. Kryeministër janë Bajrët, janë bandat, kryeministër në Shqipëri janë krimi i organizuar. Dhe Shqipëria nuk e përballon dot këtë gjendje. Kjo gjendje duhet të marrë fund një orë e më parë.

Peka: Z. Basha, situata është e tillë, dakord. Ka një konstatim që një pjesë e mirë e opinionit publik ose i analistëve kryesorë e marrin të mirëqenë pretendimin e opozitës. Megjithatë dje gazetari Andi Bushati…

Basha: Jo, jo, them që nuk është pretendim i opozitës por janë fakte dhe realitete sepse opozita e ka denoncuar prej pesë vitesh. Mund të na akuzosh se kemi qenë të parakohshëm, por s’mund të na akuzosh se s’kemi thënë të vërtetën prej ditës së parë. Dhe s’kemi paralajmëruar se Shqipëria po rrëshqiste drejt gjendjes ku është sot dhe do të rrëshqasë edhe më keq nëse ne nuk ngrihemi t’i vëmë fre’ bashkëqeverisjes me krimin dhe të ndajmë qeverisjen nga krimi.

Peka: Jeni në intervistën e parë pas ‘Toyota Yaris’ së famshme. Z. Basha, e paralajmëruat dy ditë përpara se ajo të kapej, në Kuvendin e Shqipërisë. Jeni akuzuar se keni dekonspiruar operacionin.

Basha: Mashtrim!

Peka: Nga e morët informacionin?

Basha: S’kam ndërmend ta ndaj me ju, nga e mora informacionin, por mund t;ju them që Partia Demokratike dhe unë personalisht, jemi partnerë më të besueshëm se qeveria për një numër të madh faktorësh, duke përfshirë këtu edhe faktorë ndërkombëtarë.

Peka: Në rastin konkret është faktor ndërkombëtar?

Basha: Në vetë natyrën e çështjeve do të ishte joserioze, përveçse pot ë isha gazetar, që unë s’jam, jam kryetari i opozitës, dhe pretendenti për kryeministër dhe ish-Ministër i Brendshëm dhe ish-Ministër i Jashtëm kështu që nuk kam ndërmend të hyj në këto detaje sado interesante të jenë për emisionin.

Peka: Por bëtë publike një fakt për një operacion i cili ishte në vazhdim z.Basha?

Basha: Absolutisht jo! Operacioni ishte në dështim dhe ishte pikërisht bërja publike e faktit me koordinim të plotë me ata faktorë pa të cilët Shqipëria do të ishte edhe më zi se ç’është sot dhe me ndihmën e të cilëve do të ngrihemi bashkë me qytetarët shqiptarë që këta të paktën të detyrohen ta kapin dy ditë më vonë.

Peka: Kjo dëshmi e shpëtoi operacionin?

Basha: Absolutisht kjo dëshmi apo ky paralajmërim ishte pjesë e një skenari alarmesh të vëna në lëvizje nga këta faktorë, të cilët kur panë mungesë totale reagime iu drejtuan sigurisës së fundit së një vendi që është opozita e vendit.