Shkurtimi i buxhetit për Bujqësinë, Panariti: Qeveria po e çon sektorin e bujqësisë në faliment

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Edmond Panariti ka reaguar përmes një shënimi në rrjetet sociale pas mbledhjes së djeshme të Komisionit të Ekonomisë, i cili vendosi të rishikojë buxhetin e shtetit për vitin 2018, i cili parashikon rishpërndarje të fondeve të papërdorura në disa sektorë, ku përfshihet dhe bujqësia.

Pikërisht për këtë shkurtim të buxhetit, ish-ministri i Bujqësisë shprehet se shkurtimi i fondeve për Bujqësinë, po e çon sektorin në faliment dhe fshatin në mjerim. Sipas tij, bujqësia me këtë vendim të Qeverisë mbetet një një sektor “tmerrësisht” i pa financuar, me argumentin se nuk arritka ti përdorë edhe ato “fonde” mjerane që ka.

“Shkurtimi i fondeve për Bujqësinë, po e çon sektorin në faliment dhe fshatin në mjerim….!! Në rishikimin e buxhetit të 2018, pakësohen paratë e buxhetit për Bujqësinë!…. Arsyetimi?! Rialokim i fondeve të papërdorura?! Çfarë ironie! Një sektor “tmerrësisht” i pa financuar nuk arritka ti përdorë edhe ato “fonde” mjerane që ka! Kur në fakt Bujqësia, duhet t’i “përpinte” ato me njëherë dhe përsëri të mbetej e “utitur”! Por ky është vetëm , “preteksti”, sepse e vërteta e hidhur, është se nga qesja e Bujqësisë devijohen fonde për financime dhe pagesa jo prodhuese…! Rezultati?! Ashtu si edhe në fund të vitit të kaluar, me mijëra fermerë të “shpallur fitues” nuk do të paguhen për mundin dhe sakrificat e tyre. Serat, stallat, pemishtet drejt mbylljes, sepse kosto e prodhimit, kërcen fort mbi shpinën e fitimit…ose thënë ndryshe, bujqësia shkon drejt “tharjes” dhe shkretimit”- shprehet në reagimin e tij, deputeti i LSI-së, Edmond Panariti.