Pak ditë pasi shkoi në banesën e rrënuar, Rama jep lajmin për familjen Zhupani

Javën e kaluar Kryeministri Edi Rama vizitoi një familje në Shijak, e cila jetonte në një banesë të shkatërruar.

Teksa vizitoi familjen e Hysen Zhupanit, i cili jeton me të shoqen dhe tre fëmijët në kushte mjerimi, Rama premtoi se shtëpia do të rindërtohej dhe mobilohej.

“Do shihemi shpejt besoj, para se të vijë dimri”, i premtoi ai familjes teksa tha, “Nuk e prisja kaq të tmerrshme”.

Por këtë të mërkurë, e cila përkon me ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, Rama ka dhënë lajmin e mirë.

“Në këtë ditë të bekuar të Nënë Terezës, e para fjalë që kujtoj prej saj, është fjala që më ndihmon shpesh në të përpjetat e të tatëpjetat e rrugës sime, ‘Më mirë të ndezësh një qiri, sesa të mallkosh errësirën”, shkruan Rama teksa publikon videon që gjeni më poshtë.

Në të shihet familja Zhupani duke u larguar nga banesa e tyre e vjetër, ku ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i çon në shtëpinë e tyre provizore.

Ajo u bën me dije se tashmë kanë filluar punimet për shtëpinë e tyre të re, në mënyrë që të jetë gati para mbërritjes së dimrit.

Gjithashtu ajo ju dhuroi libra dhe çanta fëmijëve, duke iu uruar sezon të mbarë shkollor dhe suksese.