Opozita kosovare: Ideja e presidentit Thaçi për kufijtë rrezikon shtetësinë e Kosovës

Partitë opozitare në Kosovë vlerësojnë se ideja e Presidentit, Hashim Thaçi, për korrigjim të kufijve me Serbinë është veprim kundër-kushtetues si dhe paraqet sulm mbi shtetësinë e Kosovës.

Në një debat të mbajtur në Prishtinë lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka theksuar se me idenë për korrigjim të kufijve presidenti Thaçi e ka zbehur shtetësinë e Kosovës.

“Këto orvatje të presidentit janë sulm mbi shtetësinë tonë. Kjo na kthen në kohën e para shpalljes së pavarësisë.Presidenti ka hequr dorë nga aksioma e politikës së Jashtme dhe shtet-ndërtimin demokratik e që është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia” ka deklaruar Kurti sipas të cilit ai i cili i pari kërkon shkëmbim territoresh është pikërisht ai që kërkon të heqë dorë nga një pjesë e territorit të vet.

Idenë e presidentit Thaçi e ka quajtur kundër-kushtetuese, shefi i Grupit Parlamentarë të LDK-së, Avdullah Hoti, sipas të cilit dëmet që po i bëhen shtetit të Kosovës nga propozime të tilla janë të rënda.

“Nuk guxojmë në asnjë mënyrë të bëjmë eksperimente me shtetësinë e Kosovës. Është krijuar pasiguri politike dhe ekonomike të qytetarët e Kosovës, nga kjo ide e cila njëkohësisht është antikushtetuese” ka thënë Hoti.

Ndërkohë Presidenti, Hashim Thaçi, përseriti sot se do të angazhohet fuqishëm për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovë. Por, kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi deklaroi se është kundër kësaj ideje dhe se i bëri thirrje Prishtinës të caktojë objektivat e saj në dialogun me Serbinë.