Fakulteti i Administrimit të Biznesit i TBU, i pari i fushës ekonomike në rang vendi që plotëson kuotat

Në përfundim të ditës së 7-të të regjistrimeve në programet bachelor të TBU janë regjistruar 83 studentë nga 100 kuota pranimi gjithsej.

Në programin Administrim Biznesi (për të trea profilet së bashku: i. Menaxhim; ii. Marketing; iii. Kontabilitet-Financë) janë regjistruar 75 vetë duke shënuar kështu plotësimin e të gjithave kuotave të parashikuara. Sipas verifikimeve tona në portalin U-Albania Fakulteti i Administrimit të Biznesit i TBU është i pari fakultet i fushës ekonomike në rang vendi që ka plotësuar kuotat. Presim me padurim të fillojmë procesin mësimor me 75 studentët e rinj të këtij programi. Falenderojmë të gjithë aplikantët e tjerë të shumtë në numër, 379 vetë që konsideruan TBU si një alternativë për shkollimin e tyre të lartë dhe ju urojmë suksese në studimet e larta në programe/shkolla të tjera.

Nga nesër e tutje TBU vijon vetëm me regjistrimet në programin Drejtësi (E Drejtë Biznesi) dhe inkurajon kandidatët të paraqiten për të kryer intervistën dhe regjistrimin. Për të gjitha nënfazat dyditore të mbetura deri me dt. 12 Shtator janë të mirëpritur për regjistrim secili nga 97 aplikantët e listës së këtij programi (kliko këtu) që nuk janë regjistuar në një program apo shkollë tjetër të lartë.

Dokumentacioni i regjistrimit përmban: a. diploma e shkollës së mesme/certifikata e notave (kopje e noterizuar); b. karta e identitetit ose pasaportës (fotokopje); c. 2 fotografi personale (format për dokumenta).

Për pyetje apo paqartësi mund të kontaktoni në: +355 69 98 119 25.