“Duel në themel”, boksieri Gjetan Keta ndeshet për titullin Kampion Bote

Vetëm tre ditë na ndajnë nga ndeshja e madhe e boksit për boksierin nga Bulqiza, Gjetan Keta, që do të zhvillohet në Dibër të madhe. Gara e titulluar “Duel në themel” do të zhvillohet me datë 8 Shtator në pallatin e sportit të Dibrës së Madhe, ku Gjetani ndeshet për titullin Kampion Bote kundër sllavit Sladjan Janjanin.

Kryetari i Komunës së Dibrës së Madhe, Rruzhdi Lata, e cilësoi boksierin Keta si njeriun i cili po i jep zë shqiptarisë me sukseset e tij të vazhdueshme.

Ndeshja në kuadër të Vitit të Skënderbeut, e cila do të zhvillohet në pallatin e sportit të Dibrës së Madhe, ku mund të akomodohen 4 mijë persona, të cilët do të ndjekin dhe do të mbështesin kampionin e boksit Gjetan Keta.

Gjetan Keta ka një rekord të përsosur prej 28 fitoresh dhe asnjë disfatë, dhe vijon i vendosur të rrisë numrin e fitoreve të tij.