Dosjet për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, Pjetri: Duhet të plotësohen vetëm me një akt-verifikimi

Qytetarët duhet të plotësojnë dosjet për regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme vetëm me një akt-verifikimi. Deklarata vjen nga kryeregjistruesi, Valdrin Pjetri, në mbledhjen me drejtuesin e ZVRPP-ve, ku kërkoi zbatimin rigoroz të urdhrit të lëshuar prej tij që përcakton nxjerrjen e një akt verifikimi për një dosje.

“Akt-Verfifikimi pёr njё dosje tё ketё vetëm një. Ka raste kur punonjësit bëjnë Ping-Pong me qytetarёt duke i kёrkuar plotësimin e dosjes me disa Akt-Verifikime. Tё studiohet mirё dosja dhe tё dalë vetёm njё Akt-Verifikimi. Ju kërkoj zbatimin e urdhërit të nxjerrë nga Kryeregjistruesi me nr. 937, datё 12.06.2018 për këtë çështje”, tha Pjetri.

Duke vënë në qendër të vëmendjes së Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme shërbimin ndaj qytetarëve, Pjetri u ka kërkuar drejtuesve vendorë që të verifikojnë çdo ankesë të platformës së bashkëqeverisjes, si dhe ka paralajmëruar largimin e punonjësve që kanë abuzuar me afatet e dhënies së këtij shërbimi.

Po ashtu, një tjetër kërkesë e tij në drejtim të regjistruesve ka qenë edhe ajo për trajtimin e praktikave të prapambetura brenda datës 31 shtator 2018.