SPECIALE/ Njihuni me pagat e 5 lojtarëve të kombëtares sonë në Seria A, udhëheq Hysaj (FOTO)

Gazeta më e madhe italiane sportive “La Gazzeta dello Sport” ka publikuar sot një speciale në lidhje me rrogat e futbollistëve gjatë këtij sezoni të ri. Këtë vit pjesë e elitës së futbollit italian janë 5 futbollistë të kombëtares sonë, të cilët janë pjesë e rëndësishme e ekipeve ku aktivizohen. Por sa janë pagat e tyre?

Futbollisti më i paguar është mbrojtësi që aktivizohet te Napoli, Elseid Hysaj. Shkodrani ka një kontratë deri në vitin 2022 me napolitanët, ndërkohë që përfiton një pagë prej 1.6 milionë eurosh në sezon. Agjenti i tij është shprehur se është në tratativa për një kontratë të re, pasi tregoi besim duke refuzuar ofertën e Chelsea-t.

Pas tij vjen portieri i Lazios, Thomas Strakosha. Edhe se është vetëm 23 vjeç, “gardiani” i talentuar ka arritur që të nënshkruajë një kontratë deri në vitin 2022, nga e cila përfiton 1 milion euro në sezon. Jo keq për një portier që ka një të ardhme shumë premtuese në elitën e futbollit italian.

Nuk mbetet shumë pas as Etrit Berisha. Portieri i Atalantës përfiton 700 mijë euro në sezon dhe ka një kontratë deri në vitin 2021. Në të njëjtën skuadër me të është edhe Djimsiti, i cili ka një kontratë që i përfundon verën e ardhshme, ndërkohë që përfiton vetëm 300 mijë euro në sezon.

Pak më poshtë tij është Federic Veseli, i cili përfiton vetëm 250 mijë euro në sezon te skuadra e Empolit, ndërkohë që kontrata e tij përfundon në vitin 2021. /Rozalb Lika-Koha Jonë/