Rezoluta e PD për Kosovën dhe testi për Edi Ramën

“Rezoluta e Partisë Demokratike mbështet fuqimisht ruajtjen e formës unitare të qeverisjes në Republikën e Kosovës”, bëjnë me dije burime pranë selisë së PD në Tiranë. Nga ana tjetër, rezoluta që po përgatit Partia Demokratike e Shqipërisë mbështet fuqimisht reformat që sigurojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Europian.

PD e ka bërë gati projektrezolutën për në parlamentin e Shqipërisë. Projektrezoluta duhet të kalojë në seancë parlamentare, ku duhet të marrë 50 plus 1 % të votave të deputetëve në sallën e Kuvendit, ndaj duke ditur se mazhoranca ka 88 vota, del se duhet patjetër PS ta votojë. Ndryshe nuk fiton. LSI dihet që e jep votën për Rezolutën nisur edhe nga deklaratat e kreut të grupit parlamentar të saj, Petrit Vasili, i cili mbetet i vetmi politikan deri më sot që ka deklaruar i pari se nuk duhet të rishikohen kufijtë, pasi Kosova e ka fituar luftën ndaj Serbisë. Dhe jo e anasjellta, siç po vepron sot presidenti kosovar, që po fut në udhë pa krye një proces tashmë të legalizuar nga Komuniteti Ndërkombëtar.

Përveçse një dokumenti zyrtar dhe politikë, kjo Rezolutë e inicuar nga PD-ja ka edhe një test tjetër publik e kombëtar. Do të vërë në provë lidershipin e PS-së, pra kryeministrin Rama. Nëse nuk e voton ai dhe PS atëhere gishti i akuzës do të ngrihet ndaj Edi Ramës që siç dyshohet se është pjesë e lojës së fshehtë Vuçiç-Thaçi dhe një Fondacioni të njohur. Ky votim e komplikon reputacionin e tij kombëtar. Por nëse PS dhe Rama, natyrisht, e votojnë, kjo rrit forcën e shtetit amë ndaj Hashim Thaçit.

Rezoluta e PD-së do jetë jo vetëm për të treguar se gjithë forcat politike në Shqipëri janë për ruajtjen e këtyre kufijve, por shërben edhe si test për të parë, me votë, pozicionin e kryeministrit Rama në këtë çështje madhore kombëtare.

Rezulota nuk ka fuqi ligjore mbi Kosovën, por ka fuqi morale dhe kombëtare.