Rama nis fushatën – Shpërndan libra falas: Mbajini me kujdes që mos t’i paguani!

Në vazhdën e fushatës kombëtare që u shpall dje nga Partia Socialiste, “E gjithë vëmendja tek ju”, për të promovuar librat falas nga klasa e parë deri në të katërtën, kryeministri Edi Rama i bëri një vizitë një familje, fëmijët e cilës janë në shkollën fillore.

Rama u dhuroi fëmijëve  librat dhe i porositi që ti mbajnë me kujdes me qëllim që të mos i dëmtojnë ato.

Edi Rama: Librat duhet ti ruani mirë se në fund të vitit do ti dorëzoni prapë, që të mos detyrohen mami me babin që të paguajnë pastaj për të marrë libra të rinj.

Një tjetër nismë që qeveria po mendon është sekuestrimi dhe asgjesimi i telefonave celularë që u gjenden nxënësve dhe mësuesve gjatë orëve të mësimit.

Kryeministri u shpreh se ky është një dëm i madh që u shkaktohet fëmijëve, duke pranuar se në të njëjtin hall është dhe me vetë djalin e tij.

Edi Rama: Do të jetë e vështirë por do ta bëjmë që çdo celular që kapet do të sekuestrohet dhe asgjesohet. Nuk mund të hyjë mësuesi me celular në proces mësimor. Nëse mua do të më thoshte shkolla me i heq celularin Zahos, që nuk është bërë akoma për shkollë, unë do të isha njeriu më i kënaqur sepse është jashtë kontrollit.

Rama u largua nga shtëpia me premtimin se brenda mandatit, të gjithë fëmijët e arsimit të detyrueshëm 9 vjeçar, do të përfitojnë libra falas.