Propozohet që Kosova të ketë vetëm një ekip negociator

Debati parlamentar për ekipin negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, ka nxjerrë edhe disa propozime. Grupi Parlamentar i Nismës Socialdemokrate, përmes deputetit Bilall Sherifi ka propozuar që ekipi negociator të jetë i vetmi që do të përfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë.

Ai tha se nuk është në favor që Kosova në dialog të përfaqësohet në njërën anë nga presidenti e në anën tjetër nga ekipi qeveritar. Kështu që kërkoi shkrirjen e tyre.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi kishte dy kërkesa nga ekipi negociator i Kosovës.

“E para, territori i Republikës së Kosovës është një dhe i pandashëm dhe askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës. E dyta, ekipi negociator obligohet të raportojë para Kuvendit, pas çdo raundi të bisedimeve”, tha deputetja, Kadaj-Bujupi.