Klodiana Lala rishfaqet në ekran pas atentatit në banesë

Është rishfaqur në ekran, në krye të detyrës, gazetarja Klodiana Lala. Ditën e sotme ajo ka raportuar live nga gjykata për televizionin News 24 në lidhje me vijimin e procesit të vettingut të shumë prokurorëve e gjyqtarëve, si përherë, e prerë dhe e vendosur.

Në fytyrën e Klodit nuk dukej asnjë grimë frike apo lodhjeje, pas atentatit që u bë në banesën e prindërve të saj disa ditë më parë.

Kujtojmë se më 31 gusht, banesa në Domje e prindërve të gazetares që mbulon sektorin e kronikës, u qëllua me 10 plumba kallashnikovi. Brenda saj ndodheshin edhe dy fëmijët e Klodianës.

Fatmirësisht, nuk pati të lënduar, ndërsa gazetarja deklaroi në polici se ka dyshime se ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës së saj si gazetare.