Gjermani: Mbro demokracinë, vëzhgo AfD-në!

Demokratë të Gjermanisë, ngrini zërin! Më e vonta prej Chemnitzit është e qartë: armiqtë e shtetit – këtu bëjnë pjesë edhe politikanë të AfD-së – duhet të vëzhgohen nga Zyra e Mbrojtjes së Kushtetutës.

Edhe sa kohë do të pritet? Edhe sa kohë do të lejojë ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer që AfD dhe mbështetësit e saj të shkelin me këmbë shtetit juridik demokratik? Që prej Chemnitzit është e qartë: një demokraci nuk duhet të mjaftohet që në emër të lirisë së mendimit të durojë armiq të kushtetutës. Ajo duhet të jetë në gjendje edhe të mbrohet me mjete të shtetit juridik.

Më shumë se gjysma e popullit gjerman, sipas një sondazhi të institutit demoskopik Civey, i ngarkuar nga Grupi mediatik-Funke është që AfD të vëzhgohet nga Zyra e Mbrojtjes së Rendit Kushtetues. Dhe ata që shqetësohen kanë të drejtë. Një parti, anëtarët e së cilës bëjnë thirrje për vetëgjyqësi dhe për “sulm ndaj stacioneve radiotelevizive” përfaqëson një rrezik në rritje. Një parti, që së bashku me aleancën ksenofobe Pegida organizon manifestime, bën kauzë të përbashkët me radikalët e djathtë. Vëzhgimi i një partie nga Zyra e Mbrojtjes së Rendit Kushtetues është mjeti më i fortë, që ka një shtet juridik kundër një organizate politike – para një ndalimi përfundimtar. Ai mund ta përdorë këtë mjet, kur ekziston dyshimi i argumentuar se një shoqatë ose një parti planifikon ose kryen akte antikushtetuese.

Ata që pendohen zbulojnë

Jo vetëm SPD, të Gjelbrit dhe pjesë të CDU-së kanë tërhequr vëmendjen herë pas here për këtë zhvillim të rëndësishëm. Edhe vetë anëtarë të AfD-së i kanë kthyer kurrizin nga ky shkak partisë.

Astrid PrangeAstrid Prange

Te më të njohurit bëjnë pjesë ish-kryetarja e Partisë, Frauke Petry, Annete Schultner, ish-zëdhënëse e platformës “Të krishterët në AfD” dhe Franziska Schreiber. Ish-kryetarja e organizatës së rinisë në Saksoni paralajmëroi pak kohë më parë në librin e saj “Inside AfD. Tregimi i një të penduare” për dominimin në rritje të krahut të djathtë nacionalist rreth Björn Höcke-s në parti.

AfD-ja ka kohë që e ka hequr maskën e shtresës së mesme. Ekseset e saj verbale nuk synojnë vetëm që ta tronditin dhe ta tallin në themelet i tij shtetin juridik. Anëtarët e saj ushtrojnë ndikim edhe që të relativizohen krimet e nacionalsocializmit, siç tregon skandali përreth vizitës së një grupi mbështetësish të AfD-së në korrik në qendrën përkujtimore të Kampit të Përqendrimit në Oranienburg.

Seehofer nuk ngrihet nga kolltuku

Të duket sikur zyra bavareze e mbrojtjes së rendit kushtetues ka avancuar më shumë në analizën e saj të rrezikut se ish-kryeministri bavarez dhe ministri aktual i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer. Zyra bavareze ka vendosur nën vëzhgim që në mars 2018 funksionarë të veçantë të AfD-së. Mbrojtësve të rendit kushtetues u pati rënë në sy një afëri e madhe me ambientin e “Reichsbürger” (Qytetarët e Perandorisë).

Por ajo që vlen për Bavarinë, nuk vlen ende për federatën – kështu e sheh të paktën Seehofer. Për të pas Chemnitzit nuk ka parakushte “për një vëzhgim në të gjithë territorin të AfD-së”, bëri të ditur ai. Kritikën e tij të shkurtit 2016, se politika e refugjatëve të qeverisë federale gjermane ka çuar në një “sundim të padrejtësisë”, ai gjithashtu nuk e ka tërhequr – për kënaqësi të AfD-së. Kjo në një kohë kur ministri i Brendshëm duhet të ishte anëtari i parë i qeverisë që ta mbronte shtetin juridik. Për ta shprehur me fjalët e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas: edhe Seehoferi duhet të “ngrihet një herë nga kolltuku”.

Ka ardhur koha që të gjithë ne ta mbrojmë demokracinë tonë nga armiqtë e saj. Ai që del në rrugë për të mbrojtur të drejtat demokratike, ka nevojë për mbështetje. Ai që propagandon urrejtje dhe nxit njerëzit, atij shteti demokratik juridik duhet t’i tregojë kufijtë. Sepse e drejta e lirisë së mendimit nuk përmban edhe të drejtën për të eleminuar demokracinë.