Vuçiç: Të largojmë urrejtjen 200-vjeçare mes serbëve dhe shqiptarëve

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se serbët dhe shqiptarët duhet ta largojnë njëherë e përgjithmonë urrejtjen 200-vjeçare mes tyre dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët për normalizimin e raporteve.

Megjithatë, presidenti serb nuk ka dhënë detaje lidhur me debatet për korrigjimin dhe shkëmbimin e territoreve me Kosovën.

Vuçiç ka thënë se është shumë e vështirë që të arrihet një zgjidhje.

“Të gjithë më pyesni për kufijtë, por unë po ju pyes juve, për cilin kufi po flisni? Ne themi se Kosova është Serbi, ndërsa ata thonë se Kosova është e pavarur. Në këtë situatë secili e vendos kufirin e vet. Por, a na duhet kjo? Ne jemi të këtij vendi dhe duhet që bashkë të vendosim për një kufi duke larguar kështu njëherë e përgjithmonë urrejtjet 200-vjeçare mes një serbi dhe një shqiptari. Ne jetojmë këtu dhe ne duhet të merremi vesh si duam të jetojmë dhe jo dikujt tjetër t’i plotësojmë dëshirat”, është shprehur Vuçiç.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç kanë shpalosur së fundmi idenë për korrigjim të kufijve.

Thaçi e Vuçiç do të takohen më 7 shtator në Bruksel, në kuadër të dialogut mes dy shteteve që ndërmjetësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.