Vrasja e biznesmenit në Shkodër, mbi 15 të shoqëruar

Pas vrasjes së shtetasit Arjan Ferracaku në Shkodër disa detaje të reja janë zbuluar. Burime të sigurta policore bëjnë me dije se 30-vjeçari Arjan Ferracaku mund të jetë vrarë gabimisht.

Sipas burimeve autori ka pasur në objektiv një person tjetër për ta vrarë, por ka gabuar në shënjestër duke lënë të vrarë Ferracakun. Gjithashtu, zbardhet dinamika e ngjarjes, lidhur me vrasjes e Arjan Ferracakut në zonë e ‘Livadeve’ në Shkodër, mesditën e së shtunës.

Dinamika e ngjarjes

Autori i këtij krimi ka qëndruar për disa kohë i fshehur pas shkurreve në pjesën periferike të ‘Livadeve’ ndërsa e ka ditur se objektivi i tij dhe personat e tjerë do të vinin aty. Sapo kanë mbërritur, autori ka qëlluar nga një largësi prej afro 70-100 metër duke tentuar që të vrasë objektivin e tij. Në fakt, ka gabuar në shënjestër dhe gabimisht është plagosur shtetasi Arjan Ferracaku.

Personat e tjerë që e shoqëronin viktimën janë larguar me shpejtësi për t’i shpëtuar plumbave pasi ata nuk kanë ditur se nga vinin të shtënat për shkak se autori ka qëndruar i fshehur, ndërkohë nuk dihej se sa persona po qëllonin në drejtim të tyre. Arjan Ferracaku dhe shtetasit e tjerë që ishin me të ndodheshin mbi kuaj duke bërë hipizëm dhe parapërgatitje për kampionatin me kuaj që ishte parashikuar me 15 shtator në plazhin e Velipojës.

Pasi autori ka lënë të plagosur shtetasin Arjan Ferracaku ka dalë nga vendi ku fshihej dhe e ka qëlluar sërish për të humbur çdo gjurmë në këtë krim të ndodhur edhe pse objektiv kishte një person tjetër. Forcat e policisë kanë bërë shoqërimin e të paktën 15 personave në policinë vendore të Shkodrës, mes të cilëve janë dëshmitarët që kanë dëgjuar krismat në vendngjarje, por edhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni apo familjarë të viktimës.

Dëshmitarët sipas burimeve policore janë shprehur për oficerët e policisë gjyqësore se ata vetëm kanë dëgjuar krisma dhe se nuk kanë arritur që ta shohin autorin për shkak se ai ishte fshehur ndërsa janë larguar me shpejtësi për t’i shpëtuar plumbave. Në këtë mënyrë dëshmitarët nuk kanë dhënë asnjë detaj që mund ta ndihmojë policinë në identifikimin e autorit të mundshëm.

Nga ana tjetër policia e Shkodrës ka pyetur edhe familjet e viktimës, por ata kanë mohuar se mund të kenë pasur probleme apo se vetë 30 vjeçari ka pasur ndonjë problem. Policia vijon hetimin për këtë ngjarje e cila dyshohet se mund të ketë lidhje edhe me ngjarjet e tjera kriminale të ndodhura në Shkodër tre muajt e fundit. Po ashtu policia vijon edhe kontrollet në qytet për të rënë në gjurmët e autorit të mundshëm.

Deri më tani ende nuk është identifikuar. Po ashtu për mënyrën se si është kryer kjo vrasje dhe kujdesin për të mos lënë asnjë gjurmë efektivët do ta kenë të vështirë për të zbuluar autorin dhe për të zbardhur vrasjen e ndodhur. Kujtojmë se në vendin ku ndodhi vrasja përveç efektivëve të komisariatit shkuan edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe struktura të tjera policore.

Efektivët të gjithë së bashku kanë nisur një punë intensive për të arritur në identifikimin e autorit dhe më pas gjetjen dhe kapjen e tij. Jo vetëm në afërsi të vendit të ngjarjes por edhe kudo tjetër përreth policia po bën kontrolle të imtësishme për të arritur në gjetjen e ndonjë gjurme të autorit të kësaj vrasjeje.

Nga ana tjetër janë ngritur disa postblloqe në aksin Shkodër-Hani Hotit por edhe pjesë të tjera në qytetin e Shkodrës dhe zonën në afërsi të ‘Livade’ ku ndodhi vrasja. Deri më tani policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorit të vrasjes dhe bashkëpunëtorëve të tij në këtë krim të ndodhur.

Vrasjet në Shkodër

Në Shkodër në vetëm dy muaj e gjysmë janë vrarë 6 persona ndërsa dy të tjerë rezultojnë të zhdukur. Fillimisht është vrasja e shtetasit Mehdi Kavaja, i cili u qëllua me plumb pas koke në servisin e tij të makinave, pas tij u qëlluan çifti Boran Bërcana dhe Silvana Ndoci që u vranë në sytë e fëmijës 2 vjeçar për të ardhur më pas tek vrasja e Fatbardh Licit, rasti i parafundit është i shtetasit Prendush Fusha që u qëllua me thikë në zemër nga Alfred Pllumbaj për të vijuar me dy persona që prej 10 ditësh rezultojnë të zhdukur, Gëzim Hysaj nga Postriba dhe nipi i tij Agron Mollaj nga Dobraçi dhe në fund është vrasja e një dite më parë e Arian Ferracakut. Nga këto 6 ngjarja deri më tani është identifikuar vetëm një autor ndërsa pjesa tjetër vijojnë të jenë pa autor.

Viktima

Arian Ferracaku kishte në pronësi disa biznese në plazhin e Velipojës dhe në Shkodër bashkë me familjen e tij. Prej shumë vitesh kanë ushtruar këtë aktivitet me bizneset e tyre.

Sipas burimeve Arian Ferracaku nuk ishte një person problematik në qytetin e Shkodrës në të kaluarën e tij. Në vendin e ngjarjes kali me të cilin po kalëronte 30-vjeçari ka marrë dy plumba, por edhe pse i plagosur ka arritur që të largohet drejt banesës të viktimës. Të gjitha forcat e policisë po punojnë për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje dhe kapjen e autorit.