Tritoli në Laç, gazetari: Na kërcënoi pronari i lokalit

Një shpërthim me eksploziv ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 1 e 30 në një lokal në Laç, në lagjen numër 4 të qytetit, në pronësi të shtetasit Llesh Buraku.

Ky i fundit ka kërcënuar gazetarët, të cilët kanë shkuar në vendngjarje, për të marrë detaje lidhur me ngjarjen, duke thënë prerë që ngjarja nuk do të transmetohej në asnjë media, pasi ai nuk do e lejonte, edhe pse gazetarët ia kishin bërë të qartë se policia do të duhej ta raportonte shpërthimin.

Buraku mësohet se ka pasur një pistoletë në dorë me të cilën ka kërcënuar gazetarët që të mos afroheshin pranë lokalit të tij.

Në vendngjarje sipas gazetarit të Fax News nuk ndodhej asnjë efektiv i policisë, dhe ata janë detyruar që të komunikojnë personalisht me shefin e policisë në Laç, i cili iu është përgjigjur se ishte me leje.

Vetëm pas publikimit të lajmit në Fax News shefi i komisariarit ka telefonuar gazetarin duke i thënë se Buruku do të jepte llogari për kërcënimin ndaj tij, dhe se ngjarja do të ndiqej.

 ‘’Në mëngjes shkuam të filmonim, shkuam në mënyrë njerëzore fillimisht, duke uruar që ngjarja të mos përsëritej, ju prezantuam më pas që ishim gazetarë. Në ato momente zotëria tha që kjo nuk do dalë në media, nxorri telefonin dhe i bëri foto makinës sime, duke marrë targën, dhe më pyeti për emrin. ‘’Po e pashë në media do kemi punë bashkë tha!”. Më ra telefoni dhe nxori pistoletën nga brezi, dhe donte që të ma merrte. Erdhën ca miq të tij dhe i bllokuan armën, i rashë disa herë shefit të policisë së Laçit dhe nuk u përgjigj, pasi i dërguam sms-në për gjendjen, ai na u përgjigj ‘’jam me leje, të fala’’. Se kujt ti bëja të fala unë, atij që më nxori pistoletën”, nuk e di!, shprehet gazetari i Fax News.