Rikonstruktohen gjimnazet, Veliaj: Do të ulet numri i nxënësve në klasa

Në prag të fillimit të procesit mësimor bashkia po mbyll punimet në shkollat e Tiranës. Duke e cilësuar gushtin, muaj sulmi, kreu i bashkisë tha se me investimet e bëra ne infrastrukturën arsimore do te ulet mbingarkesa ne klasa. Nga gjimnazi “Ismail Qemali” Erion Veliaj tha se janë përmirësuar ambientet për nxënësit

Pra, nga një shkollë me 40-50 nxënës në klasë, bëhet një shkollë me 32 nxënës në klasë. Kjo do të thotë se ka më pak nxënës për të njëjtin mësues, rrjedhimisht më shumë vëmendje për secilin nxënës dhe një shans më të madh që secili nxënës të dalë akoma edhe më mirë në mësime. Por, ky lajm i mirë ka gjasa të tundohet nga një presion konstant që vjen nga prindërit.

Veliaj ka edhe një apel për prindërit te cilet synojnë shkollat me emër, pavarësisht distancës nga vendbanimi

Këshilla ime për prindërit është kjo: nëse jeni banorë të zonës, të Njësisë 2 që iu prek ky pellgu i “Ismail Qemalit”, atëherë kjo është shkolla juaj. Nëse jeni më afër me “Abdulla Ketën” në Shkozë, nëse jeni më afër me “Sandër Prosin” në Sauk, atëherë mënyra më e mirë është për të regjistruar fëmijët atje. Duke i regjistruar nxënësit atje, do të thotë që do kalojnë më pak kohë në rrugë vajtje-ardhje, më pak vara-vingo dhe më shumë kohë me librat”.

Veliaj deklaroi se së shpejti do te nise ndërtimi i 17 shkollave te reja ne kryeqytet, përfundimi i te cilave do ti japë fund mësimit me turne.