Noka i përgjigjet Xhafës: Kriminelët ne i arrestonim, ju u jepni pushtet

Ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka i ka dhënë përgjigje akuzave të sotme të bëra nga Fatmir Xhafa e Taulant Balla.

Sipas Nokës, në vitin 2010 ka pasur 16 vrasje në Shkodër, por janë vënë në pranga 15 autorët.

Ndërsa në qeverinë Rama janë 6 vrasje dhe 2 rrëmbime që nuk kanë asnjë autor.

Reagimi i Flamur Nokës në Facebook:

Gjysmë të vërtetat janë gjithmonë gënjeshtra!

Të tilla janë mashtrimet e Farmir Xhafës dhe Taulant Ballës për të mbuluar situatën e rëndë të krimit në Shkodër.

E vërteta është se nga 16 vrasje në 2010-ën, qeveria e Partisë Demokratike zbuloi dhe çoi para drejtesisë 15 prej fajtorëve.

Ky është ndryshimi mes qeverisë së PD dhe asaj të PS.

Me PD në qeveri, kriminelët ndiqeshin, arrestoheshin dhe çoheshin para drejtësisë!

Me PS në qeveri, Edi Rama i dha pushtet krimit, prandaj nga 6 vrasje dhe 2 rrëmbime personash brenda 3 muajve nuk është zbuluar asnjë!

Kjo është e vërteta që Fatmir Xhafaj dhe Taulant Balla nuk e thonë dot, sepse janë pjesë e krimit!

Çlirimi i qeverisë nga krimi është prioriteti i opozitës dhe do të qëndrojmë bashkë me qytetarët deri në fitore.