Lidhjet e politikës me krimin, Duka: Të ngrihet një task-forcë që të merret vetëm me këtë shqetësim

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, propozon ngritjen e një taks-force e cila të merret vetëm me shqetësimin sa i takon çështjes së lidhjes së krimit me politikën.

Duka shprehet se situata në vend ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa thekson se zhbërja e kësaj simbioze është sfida më e madhe jo vetëm e opozitës, por e gjithë shoqërisë shqiptare.

Në një intervistë për gazetën ‘Telegrafi’, kreu i PAA-së thotë se ndoshta është momenti për një apel ndërkombëtarë, ku të kërkojmë mbështetjen e agjencive ligjzbatuese të aleatëve.

“Situata në vend ka dalë jashtë kontrollit, edhe si pasojë e sigurisë që krimi ka fituar falë raporteve të ngushta me politikën. Unë kam folur shpesh për betonizim të marrëdhënieve midis mazhorancës dhe krimit, dhe jam ende i të njëjtit mendim. Zhbërja e kësaj simbioze është sfida më e madhe jo vetëm e opozitës, por e gjithë shoqërisë shqiptare. Ky raport shkatërron jetën politike, përmes votave që siguron krimi; jetën ekonomike, përmes parave të pista që hynë në ekonomi dhe konkurrojnë bizneset e ndershme; dhe vetë sigurinë e qytetarëve. Rasti i gazetares Klodiana Lala është emblematik, tregon se terreni dhe guximi i fituar nga krimi është shumë i madh. Ne si opozitë e kemi denoncuar, por kjo nuk mjafton. Ndoshta është momenti për një apel ndërkombëtarë, pse jo të nisur nga opozita, ku të kërkojmë mbështetjen e agjencive ligjzbatuese të aleatëve tanë për të ngritur një task-forcë që të merret ekskluzivisht me këtë shqetësim. Vetëm nuk mund t’ia dalim”, shprehet Duka.