Veton Surroi ka të drejtë: Largoni Presidentin Thaçi nga bisedimet me Vuçiç

Negociatat tashmë sekrete mes Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiç për shkëmbime territoresh dhe ndryshim kufijsh në Kosovë kanë krijuar paqartësi në shumë kancelari diplomatike. I vetmi shtet dhe superfuqi botërore që ka kundërshtuar që në nisje idetë e dy presidentëve është Gjermania. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka zhvilluar në pak javë tre takime të njëpasnjëshme me kryeministrat e vendeve të Ballkanit; Kroaci, Mali i Zi dhe Bosnje. Duket se jo rastësisht ka shmangur takimet me presidentin e Kosovës dhe atë të Serbisë që kanë pështjelluar rajonin me idenë e tyre. Në të tre takimet, Merkel ka përsëritur në mënyrë të qartë se “nuk do të lejojmë ndryshime kufijsh në Ballkan”. Edhe pas një telefonate me presidentin e SHBA, Donald Trump ku është diskutuar për kufijtë dhe Ballkanin, qëndrimi i Gjermanisë ka qenë i njëjtë: “Nuk ka ndryshim kufijsh”. Në Ballkan po nisi sherri me luftë, zjarri merr Europën. Ndaj janë të kujdesshëm gjermanët dhe anglezët.

Por më shumë se kaq, nisja e ndryshimeve të kufijve në Ballkan vë në pikëpyetje dhe gjithë projektin dhe ekzistencën e Bashkimit Europian në Ballkanin Perendimor. Në 30 vitet e fundit, Bashkimi Europian ka investuar në rajon për të shmangur konfliktet etnike dhe duke theksuar se me hyrjen në BE kufijtë e shteteve janë të parëndësishëm. Hapja e lojës në Kosovë, duke i dhënë Serbisë të drejtën që të ndryshojë kufijtë mbi baza etnike zhbën gjithë projektin europian për krijimin e një unioni ku kufijtë mes shteteve janë vetëm formalë.

Në rastin e debatit për ndarjen e Kosovës, Gjermania nuk po e sheh rrezikun vetëm te Thaçi dhe Vuçiç, të cilët janë lojtarë të dorës së dytë, por në vetë radhët e BE. Dy zyrtarët e lartë të BE, Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme, Federika Mogerini dhe Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn janë vënë së fundi në qendër të kritikave nga analistët dhe politikanët gjermanë. Si dy burokratët e Brukselit që BE u ka lënë në dorë mbarëvajtjen e rajonit dhe gjetjen e një marrëveshje me Serbisë dhe Kosovës, Mogerini dhe Hahn duket se janë nxitësit e idesë për rishikimin e kufijve. Madje janë të vetmit që kërkojnë që marrëveshja Thaçi-Vuçiç të përfundojë para majit 2019 kur janë dhe zgjedhjet në BE dhe mandati i tyre zyrtar në detyrë përfundon. Ata kanë hallin e karrikes së tyre më argumentin se gjoja ne të dy e zgjidhëm sherrin Serbi-Kosovë, ndaj duhet të rikandidojmë për postet që kanë apo mundet, të endërrojnë, për më lart.

Për karriket e tyre po fusin farën e konfliktëve etnike në Ballkan.

Eksperti i Ballkanit pranë Këshillit të Politikave për Demokratizimin në Berlin, Bodo Ëeber, në një intervistë për radion “Deutsche Ëelle” kritikoi hapur kryediplomaten e BE, Mogerini duke e bërë përgjegjëse për atë që po ndodh në Ballkan. Përfaqësuesi gjerman nuk hezitoi ta quajë si marrëzi mbështetjen që Mogerini i ka dhënë Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës. Ëeber thekson se në vitin 2013 praktikisht Serbia e pranoi pavarësinë e Kosovës, me kushtin që të hynte në BE. Por falë ideve të Mogerinit sërish Ballkani është kthyer në mendësitë e viteve ’90 duke treguar dhe dështimin e zyrtarëve të BE. Duke qenë se burokratët e Brukselit po ecin me idenë e arritjes së një marrëveshje sa më parë, Berlini zyrtar është vënë në lëvizje për të ndaluar projektin me anë të qeverive. Dy ditë më parë, Austria, vendi që ka radhën e presidencës gjashtë mujore të BE, zhvilloi takimin informal të ministrave të Jashtëm të BE. Mbështetësit e ideve për ndarjen e Kosovës shpresonin se do të zyrtarizonin negociatat mes presidentit Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç. Por ndërhyrja e fortë e ministrit gjerman të Jashtëm, Heiko Maas kundër ndarjes apo shkëmbimit të territoreve bëri që entuziazmi i mbështetësve të ndarjes të bjerë. “Shkëmbimi i territoreve është ide e gabuar. Ne nuk mund të hapim plagët e vjetra”,- tha ministri gjerman. Ky qëndrim që pason atë të kancelares Merkel bëri që edhe Federika Mogerini të mos flas më hapur për marrëveshje që përfshijnë edhe shkëmbim territoresh.

Ndërkohë negociatat personale Thaçi-Vuçiç kanë ecur aq shumë sa tashmë po flitet për një marrëveshje sekrete të udhëzuar nga Mogherini. Takimi i radhës mes dy presidentëve është në 7 shtator në Bruksel, në prani të Federika Mogherinit. Çfarëdo që të kenë arritur dy presidentët dhe zyrtarët e Brukselit, vendimi do të kalojë edhe në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE dhe krerët e qeverive. Gjermania ka bërë të qartë se një projekt i tillë nuk do të lejohet. Dhe pas kërcënimeve me deklarata ka dhe një masë ndëshkimore që është lënë e hapur, në varësi të sjelljes së negociatorëve, Thaçi-Vuçiç. Në rast se presidentët e Kosovës dhe të Serbisë vendosin të bien dakord për ndarje territoresh, Gjermania do të bllokojë përfundimisht hyrjen e tyre në BE. Është një deklaratë që Merkel e ka lënë të kuptohet në takimet me kryeministrat e rajonit dhe që po përsëritet çdo ditë nga politikanë gjermanë dhe analistë të çështjeve të rajonit në Berlin. Ky është një skenar që në të gjitha rastet nxjerr të humbur Kosovë. Me idenë e Thaçit humbet edhe territor, por edhe mundësinë që një ditë të jetë shtet normal në BE.

Intelektuali i njohur Kosovar Veton Surroi bëri thirrje me anë të një analize mediatike që vetëm Presidentit Thaçi mos ia lini negociatat në dorë. Ja si e mbyll Veton Surroi analizën: ”Natyrisht që kjo rrjedhë mund të ndalet. Por, këtë nuk do ta bëjnë SHBA-ja, BE-ja e as Gjermania apo ndonjë shtet i veçantë. Mund ta bëjë Kosova me një konstatim të thjeshtë: Thaçi nuk është palë negociatore”.

Dhe ka të drejë Surroi!