Referendumi në Maqedoni “ndez” reagimet në Greqi

Afrimi i 30 shtatorit, ditës së referendumit që do të mbahet në Maqedoni për të aprovuar ose jo marrëveshjen me Greqinë për emrin, ka rritur përsëri reagimet e grekëve, sidomos në zonat veriore të vendit. Reagimet që ishin shuar gjatë muajve të verës filluan përsëri të përshkallëzohen, sidomos pas deklaratave të ministrit të Jashtëm, Nikola Dimitrov, në Parlamentin Europian.

I pyetur nga eurodeputetët konservatorë të Greqisë, ai ka theksuar se “vendi i tij do të quhet Republika e Maqedonisë Veriore dhe qytetarët e saj do të jenë maqedonas, të cilët do të flasin gjuhën maqedonase”. Janë pikërisht gjuha dhe identiteti, dy nga pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje, që për një pjesë të konsiderueshme të grekëve nuk pranohen.

Sondazhi i disa ditëve më parë tregoi se, 57% e të intervistuarve janë shprehur se do të votojnë pro marrëveshjes, e cila do të sjellë integrimin e vendit në NATO dhe BE, e ky rezultat ka shkaktuar buzëqeshje në Shkup.