Fast-food, “vrasësi i heshtur” i shëndetit

Edhe pse konsumatorët janë të ndërgjegjshëm se ushqimet e shpejta (fast-food) janë të dëmshme për organizmin, përsëri ata nuk i rezistojnë dot një sufllaqeje me salcë të kuqe dhe mustard.

Mjafton të kesh dëshirë për të konsumuar një sanduiç, sufllaqe apo picë dhe shërbimi taksi ta siguron atë kudo që të jesh, brenda pak minutave. Moshat e reja janë konsumatorët më të rregullt të kësaj menyje.

“Ushqim i shpejtë, një vrasës i heshtur”, ky është mendimi i bluzave të bardha. “Ka një ndikim shumë negativ në shëndetin e fëmijëve, të cilët nuk hanë mëngjes në shtëpi, por shkojnë dhe hanë në fast food-et pranë shkollave. Këto ushqime nuk kanë lëndët ushqyese të domosdoshme për trupin e fëmijës. Madje ato konsiderohen si vrasës të heshtur”, shprehet mjeku Ramazan Buçi.