Shko pak në Shkodër, zoti Kryeministër! Voltana Ademi-Ramës: Mjaft më!

Nga Nard Ndoka – 

Zgjohu Zoti Kryeminister,

Rendi dhe siguria nuk jane statistikë numrash, por garanci dhe shpresë për të jetuar në këtë vend.

Zgjohu nga “gjumi”, çliroju nga demagogjia; qendro në krye të shtetit, qeveris dhe mos u tall me popullin tënd, që të vetmen shpresë ka shtetin që ta mbrojë.

Ku është shteti, ku është rendi e siguria, ku është përgjegjësia e juaj si KM?

Katër vrasje me pesë viktima në Shkodër, dy persona të zhdukur, tre automjete të djegura; ende asnjë autor i dyshuar, asnjë piste hetimi, asnjë motiv, asnjë përpjekje institucionale, asnjë shpresë për familjet shkodrane.

Sa tmerr, sa turp, sa mungesë përgjegjësie e profesionalizmi, sa frikë për sot e për nesër.

Kryeministri na thotë; se po mos të kishte ndodhur ngjarja kriminale në Selenicë, do ishim më mirë se vjet!

Sa ftohtë llogjikon, sa frikshëm, sa pa përgjegjësi; krimi nuk është statistike, por jetë njeriu Z.Kryeminister.

Leri të tjerët të merren me shifrat, por merru me fenomenin kriminal në rritje, që po zhduk shpresën në këtë vend.

Shpalli luftë krimit dhe kriminelëve, atyre të rrugës dhe atyre qe i ke në parti e Kuvend, që ti ka sjell krimi aty, për të mbrojtur vetën me “avokatët e djallit” me mandat politik.

Zgjohu Zoti Kryeminister, filloje luftën me vetën dhe të tuat si fillim, me të tjerët të merret drejtësia, por pa avokatët e djallit nëpēr këmbë, të mandatuar nga vota e krimit.

Qytetaria shkodrane vërtet nuk të don, por ky dënim është i rëndë për ta, këtë nuk do ta falin kurrë!

Kuptoje këtë situate, po ta them si mik, si deputet i zgjedhur në Shkodër pesë herë, e njoh atë qytet, më ka mandatuar t’ i përfaqesoj.

Por të njoh edhe ty si njeri, si Kryeminister, ndaj gjej forcë dhe kurajo; shko në Shkodër, çliroje Drejtorinë e Policisë nga interferimi i krimit dhe drejtimi i përfaqësuesve të tu politikë.

Kaq e thjeshtë është zgjidhja; por në keto kushte, sot e ke vetëm ti në dorë ta zgjidhësh, për fatin tonë të keq!

Shko në Shkodër Z.Kryeministër!

Vrasjet në Shkodër, Voltana Ademi-Ramës: Mjaft më!

Voltana Ademi, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës ka reaguar në lidhje me vrasjen e Arjan Verracakut, ndodhur mesditën e sotme në këtë qytet, duke theksuar se në vetëm tre muaj janë shënuar 6 viktima në Shkodër, Ademi thotë se qyteti “po përjeton periudhën më të vështirë ku krimi po bën ligjin”.

“Në më pak se tre muaj janë 6 të vrarë dhe dy persona të zhdukur në territorin e Bashkisë së Shkodrës. Ankthi për jetën dhe të nesërmen po zbret frikshëm në këtë rajon”, thotë Ademi.

Kryebashkiakja më tej bën një apel të gjerë për kryeministrin, policinë dhe gjithë aktorët politikë që të ndalin këtë valë kriminale që ka terrorizuar banorët e Shkodrës.

“Si nënë, motër, grua, si kryetare e Bashkisë së Shkodrës i drejtohem kryeministrit të Shqipërisë, e Qeverise: Mjaft më! Ju mbani përgjegjësi për këtë që po ndodh! U drejtohem të gjitha forcave politike, deputetëve e medias, përfaqësive ndërkombëtare në Shqipëri: Ju s’mund të qëndroni indiferent! Askush nuk mund të qëndrojë indiferent! Për fëmijët dhe familjet tona, për të ardhmen tonë e të Shkodrës tonë! Shkodra nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë kjo e tre muajve të fundit, nuk duhet ta lëmë të hyjë në një rrugë pa kthim”, nënvizon Ademi.

Lajme të tjera për ngjarjen në Shkodër