Manastirliu në Vlorë: Brenda 10 ditësh nis rikonstruksioni i poliklinikës

Ministrja e Shëndetësisë gjatë një inspektimi të befasishëm pasditen e së shtunës në spitalin dhe poliklinikën e Vlorës përgëzon mjekët për përballimin e sezonit turistik.

“Brenda 10 ditësh fillon rikonstruksioni i plotë i Poliklinikës së qytetit të Vlorës”. Gjatë një inspektimi të befasishëm pak minuta më parë në spitalin dhe poliklinikën e Vlorës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lajmëroi fillimin e punimeve për rehabilitimin e plotë të Poliklinikës së qytetit të Vlorës, e cila do të transformohet brenda vitit 2019 në një qendër moderne mjekësore jo vetëm sa i takon infrastrukturës por edhe pajisjeve mjekësore.
“Jam shumë e kënaqur të ndaj me ju lajmin se brenda 10 ditësh nis rehabilitimi i plotë i kësaj poliklinike në qendër të Vlorës, e cila kishte kaq shumë nevojë për ndërhyrje për të ofruar kushte më të mira pune për stafin mjekësor por mbi të gjitha për te ofruar një standart të ri shërbimi për qytetarët”, tha Manastirliu.
Gjatë bisedës me ekipin mjekësor të urgjencës së Poliklinikës së Vlorës, Ministrja e Shëndetësisë përgëzoi mjekët dhe infermierët për përballimin me sukses të sezonit turistik, gjatë të cilit morën shërbim 43 mijë pushues në qendrat shëndetësore verore.