Interi shkëlqen pa Icardin, merr fitoren e parë ndaj Bolognës (VIDEO)

Interi më në fund gjen fitoren e parë në këtë sezon në Seria A. Skuadra e Lucciano Spallettit ka triumfuar 3-0 në transfertën ndaj Bolognës, një ndeshje të cilën e zgjidhi në pjesën e dytë. Zikaltrit e nisën ndeshjen pa kapitenin e tyre Mauro Icardi, i cili pësoi një dëmtim muskulor në stërvitjen e fundit, duke u detyruar që ta shihte ndeshjen nga tribuna. Ndeshja nisi më mirë për zikaltërit, që ju afruan golin që në minutën e parë me Perisic. Bologna u kundërpërgjigj mjaft mirë, por portieri Handanovic shpëtoi ekipin nga një gol i sigurt. Pjesa e parë nuk dhuroi shumë emocione, ndërkohë që në pjesën e dytë do të kishte shumë zhvillime.

Nainggolan në ndeshjen e parë me fanellën zikaltër shënoi golin e avantazhit, me një goditje të bukur në minutën e 67-të në hyrje të zonës. Goli tronditi vendasit, që tentuan të reagonin,  por do të pësonin edhe dy gola të tjerë pas kundërsulmeve vrastare. Candreva shënoi në minutën e 82-të, ndërkohë që dy minuta më pas ishte Perisic, i cili shënoi golin që vulosi suksesin e parë në këtë sezon. Interi ngjitet në kuotën e 4 pikëve pas 3 ndeshjeve të para në kampionat, duke konfirmuar se dinë të fitojnë edhe pa Icardin. /Koha Jonë/