Inaugurohet përfundimi i një ndër rrugëve më të bukura në vend

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro inauguruan përfundimin e punimeve në aksin 16.5 kilometra që lidh Linin me Pogradecin. Vepra infrastrukturore prej vitesh ishte e zvarritur ndërsa vjeshtën e kaluar u bë e mundur zgjidhja e problemit të financimit e më tej përfundimi i aksit.

“Rrugë e kategorisë C1 me të gjitha elementët e sigurisë rrugore, elementët dekorativë, ndriçim dhe një trotuar që është një projekt goxha i veçantëpr shkak të liqenit si një pasuri që ne e kemi. Trotuari fillon në Lin dhe përfundon në Pogradec. Është një rrugë që i ka të gjitha parametrat e plotë dhe me një cilësi shumë të mirë punimesh, me nënkalime këmbësorësh dhe me të gjithë elemenët e sigurisë rrugore”, sqaroi drejtori i ARRSH-së Afrim Qendro.

Ministri Gjiknuri vuri theksin tek transformimi që i ka sjellë zonës ky aks rrugor i shoqëruar edhe me ndërhyrjen për pastrimin e vijës së liqenit nga ndërtimet pa leje.

“Po të kthejmë kokën përpara pak vitesh, kjo pamje e liqenit, pra mbi 16 kilometra ka qenë totalisht tjetër. Një rrugë e ngushtë, e shkatërruar dhe një liqen tërësisht i zënë nga ndërtimet pa leje. Sot që flasim kemi një breg të liqenit tërësisht të transformuar, një nga veprat më të bukura. Kushdo që do të vijë në Pogradec, një qytet që ka shumë atraksione turistike do të shohë një nga rrugët më të bukura të realizuara në vendin tonë. Ky do të jetë standardi i qeverisë shqiptare për të gjitha rrugët e reja dhe kantieret që ne po hapim dhe që do ti përfundojmë në këto 3-4 vitet e ardhshme të qeverisjes sonë”, nënvizoi ministri Gjiknuri.

Gjiknuri dhe Qendro, më pas inspektuan edhe punimet që po vazhdojnë në një tjetër vepër infrastrukturore, tunelin panoramik në hyrje të qytetit të Pogradecit. Ky segment do të ketë një gjatësi prej 1 kilometër dhe ajo çka e bën të veçantë është gjysëm tuneli që krijon mundësinë e një pamjeje piktoreske përgjatë rrugës. Në këtë pikë projekt kanë përfunduar segmented rrugore ndërmjet gjysëm-tuneleve si dhe 85% e punimeve ndërtuese të strukturave.