Flet Eni Vasili, pse shkoi në Top Channel

Gazetarja e njohur Eni Vasili ka folur publikisht për herë të parë, për transferimin e saj dhe të emisionit “Studio e Hapur” nga News 24 te Top Channel. Në një intervistë për gazetaren Alda Bardhyli në gazetën Mapo ajo tregon motivet që e nxitën për të bërë këtë hap pas 5 vitesh aty.

“Nuk them asgjë të fshehtë nëse pohoj gjithashtu që gushti i nxehtë më ka përfshirë në negociatat më të ethshme, ato me Top Channel. Negociatat zgjatën gati një muaj dhe ka qenë edhe kjo një përvojë që më ka pasuruar. Vendimi nuk ka qenë i thjeshtë dhe negociatat kanë qenë komplekse por të frytshme për sa kohë interesi i përbashkët është t’i japim tregut mediatik një produkt dinjitoz me parametra profesionalë që shpesh mungojnë në studiot e debatit televiziv”, rrëfen Vasili për periudhën e negociatave, përpara se të hidhte këtë hap të rëndësishëm.

E pyetur për mënyrën se si u si u largua nga ‘News24’, Eni Vasili, thotë se ka marrë shumë telefonata nga pjesëtarët e stafit me të cilët punoi për 5 vite, si dhe falenderon pronarin e kësaj media, Irfan Hysenbelliu, i cili e mbështeti në fillesat e projektit të saj.

Pasi tejkalon kohën që punoi në “News 24”, gazetarja tregon arsyen, se përse lëvizi dhe flet me superlativë, për median e re ku do të punojë.

“Sepse Top Channel është Top Channel, televizioni që lindi si një ëndërr e dikujt dhe u bë ëndrra e shumëkujt. Është një nga pasuritë dhe asetet më të rëndësishme kombëtare, një shtëpi mediatike që çdokush do të donte ta ndjente veten pjesë. Jam sigurisht e lumtur që “Top Channel” më ftoi të jem pjesë e skuadrës dhe shpresoj ta justifikoj besimin”, rrëfehet Eni Vasili.