Bugajski: Thaçi-Vuçiç po e çojnë Ballkanin në ujëra të turbullta

Debati i javëve të fundit për arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vlerësohet si hap pozitiv nga njohësi i çështjeve të Ballkanit Janusz Bugajski.

Në një deklarim për televizionin publik të Kosovës, Bugajski deklaron se diskutimi mbi kufijtë është temë rezultatin e së cilës nuk mund ta parashikojë askush duke pasur parasysh faktin se secili nga shtetet e Ballkanit ka çështje të tilla. “Mendoj se po hyjmë në ujëra të turbullta ku rezultatet nuk mund të jenë të parashikueshme. Nuk kam asgjë specifike kundër ndarjes por duhet pasur parasysh disa kushte që duhet plotësuar. Me fjalë të tjera, marrëveshja e plotë nga të dy palët, njohja e pavarësisë së Kosovës si dhe referendumi apo në njëfar mënyre një lloj dakordimi nga publiku që shkëmbimi territorial të jetë i mundur. Mendoj se nëse kjo ndodh në mënyrë dypalëshe dhe është marrëveshje e plotë do të ishte në rregull, do të mund të pranohej por problem është rreziku për shkaktim të problemeve politike në Kosovë dhe Serbi dhe do të mund të shkaktonte nisjen e reagimeve për ndryshime territoriale në Ballkan, andaj ky do të ishte rrezik edhe më i madh”,- tha Bugajski.